Nga familja Maldini te Zidan, trashëgimtarët duan ‘fronin’

196

Në Amerikën Veriore askush nuk do të ketë guxim që të bëjë një fanellë me sloganin “Ka vetëm një Zidane” me rastin e mbërritjes së Realit të Madridit. Nuk do të ishte korrekte pasi në ekipin kampion Europe gjenden tre Zidan. Zinedini dhe dy djemtë Luka dhe Enco. Por dy të fundit nuk janë të vetmit që po ecin në hapat e babait të tyre.

Në botën e futbollit sportdashësit po përjetojnë një “deja vu”, pasi sot në akademinë e Ajaksit është një djalosh që endet me fanellën e Klajvertit. Nuk është një fans i Patrikut, por është djali Xhastin. E njëjta gjë vlen edhe për Paolo Maldinin dhe George Haxhin, të cilët nuk janë të fundit të familjeve respektive që kanë lënë gjurmë në futboll.

2A7DCEF500000578-0-image-m-40_1437395419943

Zidanët

Për Zinedin Zidanin, fjalët janë të tepërta. Të gjithë ata që kanë qarë kur e panë për herë të fundit në fushë në finalen e Kupës të Botës tani kanë lajme të mira. Ai ka katër djem dhe dy prej tyre bëjnë pjesë në grupin prej 25 lojtarësh që janë nisur drejt kontinentit tjetër për të luajtur miqësoret me PSG-në, Çelsin dhe Bajernin e Mynihut. Luka është 17 vjeç dhe ka mbrojtur portën e Realit në “Uefa Youth League” (Liga e Kampioneve për të rinj). Ndërsa Enco, 21- vjeçar, i ka ngjarë babait. Ai luan në mesfushë dhe mbiemri që mban në fanellë shpjegon klasin që ka kur lëviz me topin. Sër Aleks Fergusoni i ofroi një mundësi që të stërvitej te Junajtid, por djaloshi vendosi që të punojë me babanë te Reali i Madridit. Ai u emërua edhe kapiten i Kastijës (ekip i Realit). Enco ka bërë edhe një tjetër zgjedhje të fortë, pasi ka braktisur Francën për Spanjën.

Screen-Shot-2015-09-08-at-14.23.29

Klajvertët

Patrik Klajvert është një tjetër ish-futbollist fatlum që pas pak vitesh do të krenohet me djalin e tij. Ishsulmuesi, i cili në moshën 18-vjeçare nën këshillat e Luis Van Galit i dha Ligën e Kampioneve Ajaksit, tani “mburret” me Xhastinin. Djaloshi i tij 17-vjeçar po mrekullon Ajaksin me forcën e golave. E ardhmja e djaloshit mund të jetë në Paris, pasi babai i tij sapo ka firmosur një kontratë pune me PSG-në. Xhastini është modest, por e di fare mirë rëndësinë e mbiemrit që mban në shpinë: “Më duhet të bëhem copash që ta mbaj mbiemrin në lartësinë e duhur”.

2198531_w2

Haxhët

Trashëgimi të rëndë ka edhe Ianis Haxhi. Ai është i biri i atij që në vitet ’80-’90 konsiderohej si “Maradona i Karpateve”. Djaloshi i Geroge Haxhit është vetëm 17 vjeç, por në fushë sillet si të ishte një veteran. Klasi i madh i trashëguar nga i ati i ka lejuar që të debutojë në një ekip profesionist. Nën urdhrat e Georges, ai luajti sezonin e kaluar me ekipin rumun të Vitorulit. Ndërsa edicionin tjetër do të kemi kënaqësi që ta shikojmë në aksion në Serinë A, pasi e ka blerë ekipi i Fiorentinës. “Ai luan me shumë pasion”, thotë Haxhi Senior për djalin që lindi në Stamboll në kohën kur luante për Gallatasarajin.

tmb1_525723_20121217221629

Simeonet

Edhe Diego Simeone renditet mes atyre ishfutbollistëve që sot shohin teksa djemtë u shëtisin mbiemrin e tyre nëpër fusha. Diego Simeone ishte një mesfushor tipik shkatërrues me karakter të fortë, por që me sa duket i ka dhënë djalit vetëm mbiemrin, pasi po të shikoni Xhovanin në fushë nuk do ta besoni se i biri i kujt është. 21-vjeçari luan si sulmues te River Plejti dhe spikati në futbollin e rëndësishëm vitin e kaluar kur mbylli në krye të klasifikimit të golashënuesve Kupën e Amerikës për 20-vjeçar. Ai është një sulmues i lëvizshëm që i pëlqen të godasë goditjet e dënimit me stilin e Kristiano Ronaldos.

red-main_2793742a

Maldinët

Familja Maldini është e veçantë në llojin e saj, pasi dekadë pas dekade është e destinuar që të nxjerrë emra të mëdhenj në sportin e futbollit. Kur legjenda e Milanit, Paolo, nisi të luante me Milanin, të gjithë thanë se kishte pasur një privilegj të tillë për shkak të Çezares. Por Kupat e Kampioneve të fituara në seri bënë kritikët të heshtnin. Pak a shumë në të njëjtin pozicion ndodhet edhe Kristiano. 20- vjeçari, i cili ashtu si i ati luan si qendërmbrojtës dhe mbrojtës krahu, ishte kapiten i të rinjve te Milani. Ai tashmë i përket Rexhanës (Liga Pro) dhe prej aty do të nisë gjithçka.

henrik-jordan-larsson

Larsonët

Henrik Larson e nisi karrierën te Fejnordi. Atje lindi edhe i biri, Xhordan, i cili mori emrin e basketbollistit të famshëm të Çikago Bullsave, Majkëll Xhordan. Tani 19-vjeçari ka bërë famë te Helsingborgu. Ai është sulmues zone ashtu siç ishte dhe babai që fitoi gjithçka me Barcelonën e Rajkardit. “Edhe pse është vetëm në fillim, ka bërë shumë rrugë”, ka thënë Ibra për bashkëkombësin e tij që shumë shpejt pritet t’i trashëgojë dhjetën e Suedisë.

Huazuar nga Panorama Sport.