Nga Champions-i i parë te fitorja 6-0 në derbi, historia e Cezare Maldinit

151

Është shuar dje në moshën 84-vjeçare Çezare Maldini, kapiteni legjendar i Milanit (siç do të bëhej pas tij edhe djali Paolo), ish-futbollisti dhe trajneri i Kombëtares italiane. I lindur më 5 shkurt 1932, në qytetin e Triestes, Maldini ka milituar te Milani nga viti 1954 deri në vitin 1966, teksa numëronte 347 ndeshje dhe 3 gola me fanellën kuqezi.

Si kapiten, Cezare është italiani i parë që ka ngritur në qiell trofeun e Kupës së Kampionëve, në stadiumin “Uembli”, ku Milani mundi Benfikën e Eusebios. Me fanellën e përfaqësueses italiane Maldini ka luajtur 14 ndeshje, dy prej të cilave në Botërorin e Kilit, në vitin 1962. Më poshtë kemi rikujtuar nëntë ngjarjet që kanë shënuar karrierën e një prej legjendave më të mëdha të futbollit italian.

Kupa e parë e Kampionëve – Në mbrëmjen e 22 majit të vitit 1963, në stadiumin “Uembli” të Londrës, Milani mundi 2-1 Benfikën, kampione në fuqi, duke fituar për të parën herë në histori Kupën e Kampionëve. Ky ishte suksesi i parë i një ekipi italian në arenën ndërkombëtare dhe triumfi më i madh në karrierën e Cezare Maldinit.

Botërori i vitit 1982 – Pas përfundimit të karrierës futbollistike, Cezare Maldini nisi atë të trajnerit, teksa si fillim ishte zëvendësi i Enco Berzotit në drejtimin e përfaqësueses italiane në Botërorin e vitit 1982, ku “të kaltrit” u kurorëzuan kampionë bote duke mundur Gjermaninë në finale.

Tripletë me të rinjtë – Fill pas suksesit në Botërorin e Francës, Federata Italiane e Futbollit i besoi Maldinit drejtimin e përfaqësueses U-21 në vitin 1986. Për 10 vite me radhë, Cezare qëndroi në krye të të rinjve me rezultate të shkëlqyera. Historike do të mbesin tri sukseset radhazi në Europian (1992-1994-1996). Një rekord që vështirë se mund të thyhet një ditë…

Trajner i Italisë në Francë ’98 – Në valën e triumfeve me të rinjtë, Italia i besoi Cezares drejtimin e Kombëtares së madhe në Botërorin e Francës, ku trashëgoi stolin e Sakit. Për të parën herë, Maldini përjetoi emocionin për të drejtuar të birin, Paolo, i cili ishte “diga” e mbrojtjes së italianëve në ato vite. Një çështje familjare sa e rrallë, aq edhe e bukur. Ekspedita italiane ndalet pikërisht kundër Francës, e cila e eliminoi vetëm pas goditjeve të penalltive, duke fituar më pas Botërorin.

Fitoja historike 6-0 kundër Interit – Në atë pikë, Berluskoni dhe Galiani e thërrasin në… shtëpi. Te Milani i tij, ku Çezare kishte punuar edhe si drejtues në fillim të viteve ’70 dhe më pas si zëvendësi i Nereo Rokos. Si fillim, Maldini mbuloi rolin e vëzhguesit, mirë- po në fund të sezonit ulet në stol për të drejtuar ekipin në ndeshjet e fundit të vitit 2000-2001, pas shkarkimit të Alberto Zakeronit. Si trajner, me në krah Tasotin, Cezare shënoi një tjetër ngjarje historike. Milani i shkakton Interit humbjen më të thellë në derbi, duke e mundur me rezultatin 6-0, një takim që çdo tifoz i Milanit vështirë se do ta harrojë, ndoshta mund të themi të njëjtën gjë edhe për ata të Interit.

Kundër Paraguait – Pas përfundimit të aventurës me Milanin, Maldinit iu propozua stoli i përfaqësueses së Paraguait në vigjilje të Botërorit që u zhvillua në Kore dhe Japoni në vitin 2002. Çezare në atë periudhë ishte 70 vjeç dhe sigloi rekordin si trajneri më veteran në historinë e Kupës së Botës. Pasi arriti të kualifikohej me sukses në fazën e grupeve, Paraguai u eliminua nga Gjermania në çerekfinale (1-0), por Maldini edhe një herë tjetër u largua me kokën lart.

Imitimi i Teokolit – Popullariteti i Çezare Maldinit në vitet e fundit është mbajtur “gjallë” edhe nga imitimi i humoristit italian, Teo Teokoli, mik i ngushtë me Çezaren dhe tifoz i thekur i Milanit. Imitimi i Teokolit “çmend” dhe të birin, Paolo, i cili qeshte sa herë që humoristi i imitonte të atin.

Raporti me nipat – Një tjetër emocion i paharrueshëm për Cezaren është ai kur pa edhe nipat e tij të hidhnin hapat e parë si futbollist. Të dy djemtë e Paolo Maldinit, Kristian dhe Daniel, militojnë në radhët e akademisë së Milanit, me shpresën se një ditë do të ndjekin gjurmët e gjyshit dhe babait. Çezare i ka ndjekur gjithmonë me “ftohtë- si”, njësoj siç bëri edhe të birin, Paolon, pasi nuk kërkon që mbiemri të peshojë në karrierën e tyre. Ai gjithmonë i ka këshilluar djemtë e Paolos që të luajnë lirshëm, pa presion dhe pa u mundur që t’i ngjisin sa më shpejt shkallët e karrierës. Nga martesa me bashkëshorten Marisa kanë lindur tre djem dhe tri vajza, që nga dje nuk do të kenë më babain e tyre të dashur, mirëpo gjurma që ai ka lënë në këtë botë nuk do të shuhet kurrë… “Ave Cezare!”.

/Panorama Sport/