Nesër vendoset gjithçka në Ligën e Parë, këto janë përballjet me rëndësi të madhe

1487

Nesër zhvillohen të gjitha ndeshjet e javës së 27-të në Ligën e Parë, e cila është java e fundit e këtij sezoni.

Nga këto duele do të vendoset gjithçka, skuadrat që e sigurojnë promovimin në Superligë, ato që mbesin në Ligën e Parë dhe ato të barazhit.

Në Grupin A, dy skuadra po luftojnë për promovimin direkt në Superligë, Malisheva e vendit të parë me 57 pikë dhe Dukagjini, që ka mbledhur 55 pikë në vendin e dytë.

Të dy skuadrat ndeshjen e fundit të këtij sezoni e zhvillojnë si mysafir, ndaj dy ekipeve që nuk i nevojiten pikët. Malisheva luan me Vllaznimin, ndërsa Dukagjini me Trepçën.

Në anën tjetër, dy klubet e Grupit A që po luftojnë për mbijetesë janë Drenasi i vendit të nëntë me 22 pikë, dhe Vushtrria e vendit të fundit me vetëm 20 sosh.

Drenasi do ta ketë vështirë, ku në shtëpi e pret Istogun e vendit të tretë, ndërsa lehtë nuk do ta ketë as Vushtrria, e cila gjithashtu si vendase luan ndaj vendit të katërt, A&N.

Edhe në Grupin B, dy skuadra po luftojnë për kalimin direkt në Superligë, Ulpiana e vendit të parë me 50 pikë dhe Flamurtari i vendit të dytë, me 49 sosh, shkruan Gazeta Olle.

Ulpiana luan në udhëtim ndaj Ramiz Sadikut, skuadrës së vendit të pestë, që nuk i duhen pikët. Në anën tjetër, Flamurtari luan gjithashtu si mysafir ndaj Vllaznisë, skuadrës që e ka siguruar mbetjen në Ligën e Parë.

Ndërkohë, dy skuadrat që luftojnë për mbijetesë janë Ferizaj e vendit të nëntë, me 27 pikë dhe Kek-u, që pozicionohet në vendin e fundit me 25 pikë të grumbulluara.

Ferizaj e pret Dardanën e vendit të gjashtë, ndërsa Kek-u gjithashtu luaj si vendas ndaj 2 Korrikut, skuadrës që gjendet në vendin e tretë në Grupin B.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit zhvillohen të shtunën me fillim nga ora 15:00.