Ndryshime të paparashikueshme te Hajvalia

584

Skuadra e Hajvalisë sot zhvilloi duelin e paralajmëruar miqësor me Prishtinën dhe arriti të triumfojë 2:1.

Ndonëse rezultati është në plan në duele të tilla, në sfidën e sotme ai nuk mund të anashkalohet, pasi përballë ishin dy skuadra që patën një verë krejtësisht ndryshe.

Përderisa Hajvalia liroi thuajse të gjithë futbollistët e ‘kushtueshëm’ dhe transferoi të tjerë më pak të njohur, Prishtina ‘bombardoi’ me emra të mëdhenj që lanë gjurmë edhe në Kombëtaren shqiptare.

Në këtë fitore të hajvaliasve, njërin prej dy golave e shënoi Armend Halili, i cili te Hajvalia erdhi nga Ramiz Sadiku që bën gara në Ligën e Parë.

Befasia më e madhe është se në këtë takim, Hajvalia u prezantua me vetëm katër futbollistë që ishin pjesë e klubit edhe edicionin e fundit. Ndërsa, vetëm dy prej tyre ishin në përbërjen e parë, Gëzim Gashi e Serginho, shkruan Gazeta Sheshi.

Gjithsesi, hajvaliasit e Synaj Keçit fituan këtë duel, por mbetet të shihet si do t’ia dalin në kampionat me fondin aktual të lojtarëve.

Përbërja startuese e Hajvalisë ndaj Prishtinës: Betim Halimi – Etrit Halimi, Armend Halili, Gezim Gashi, Shpend Krasniqi, Yll Prekopuca, Endrit Maloku, Gentrit Humolli, Lucas, Juninho, Serginho. Gjatë ndeshjes luajtën edhe futbollistë tjerë.