Ndotja e ajrit në Rio, alarmante

162

Në prag të Lojërave Olimpike, një investigim i “Reuters” ka zbuluar se ajri në Rio de Janeiro është tepër i rëndë dhe ka nivele shumë të larta ndotjeje, me shumë sesa Ministria e Mjedisit ka publikuar para eventit gjigant sportiv.

Të dhënat zyrtare thonë se cilësia e ajrit në Rio ishte “brenda kufijve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, por për agjencinë e lajmeve “Reuters”, kjo nuk është e vërtetë.

Rio de Janeiro nuk i ka plotësuar këto standarde as kur mori të drejtën për të qenë vend organizator e as tani që pret nisjen e Lojërave Olimpike. Mijëra persona humbasin jetën në vend për shkak të komplikacioneve që lidhen me ndotjen e ajrit.

Ata janë të ekspozuar ndaj kancerit të mushkërive, astmës dhe sëmundjeve të zemrës. Ndotja e lartë vjen për shkak të makinave të shumta që qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit më të madh jugor brazilian , por jo vetëm.

Në përgjithësi Brazili vuan nga probleme të mëdha mjedisore. Cilësia e ajrit nuk është aspak në standardet e Lojërave Olimpike. Edhe pse është më mirë qytetet aziatike dhe disa qytete të Afrikës, ajo nuk arrin nivelet e Europës apo Amerikës së Veriut.

Banorët e Rios ndihen tepër pesimist për këtë fakt, për të cilin as Lojërat Olimpike duket se nuk ndryshuan gjë. “Ndjej papastërti edhe në trupin tim”, tha një banor. “Është bërë një fushatë e madhe për cilësinë e ajrit po asgjë nuk ka ndryshuar. Gjithçka është bërë është thjesht fasadë”, deklaroi një tjetër banore.

“Reuters” ka kryer teste të veçanta në disa pika kyçe të qytetit: në frontin e parkut olimpik, në fshatin olimpik, në plazhin Copacabana dhe jashtë stadiumit olimpik.