Mustafa: Nuk do t’i heqim masat e reciprocitetit

143

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar çështjen e reciprocitetit me Serbinë, duke thënë se nëse Serbia kërkon certifikata nga Kosova, edhe vendi ynë i kërkon ato nga Serbia.

Kosova për herë të parë e merr seriozisht vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj palës serbe. Pas këtij vendimi, me ftesë të Bashkimit Evropian (BE), delegacioni i Kosovës ka udhëtuar për në Vjenë për të marrë pjesë në takimin urgjent të ftuar nga BE, në lidhje me njohjen reciproke mes dy shteteve të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme, të njohura si ADR (the European Agreement Concerning the International Carriage of Dangerous Goods by Road).

Pala serbe në vazhdimësi nuk e ka respektuar marrëveshjen dhe se si kundërpërgjigje Qeveria e Kosovës mori vendim për masa reciprociteti për mosnjohjen e certifikatave, duke ndaluar importin e mallrave të rrezikshme nga Serbia, vendim ky të cilin e mori ministrja për Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami ditë më parë.

Sipas, një njoftimi të Ministrisë për Dialog, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se derisa të mos arrihet marrëveshja me ndërmjetësimin e BE-së për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, masat e reciprocitetit nuk do të hiqen.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Kosova do të sillet në mënyrë të njëjtë, ashtu sikurse pala serbe. Sipas tij, nëse Serbia i kërkon certifikatat, atëherë edhe pala kosovare do të kërkojë një gjë të tillë.

Ai pret që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësimin e BE-së.

Përfaqësues nga partitë opozitare thonë se pala kosovare nuk do të duhej të pranonte në asnjë mënyrë që shkojnë në takime të ftuara me urgjencë nga kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.

Rexhep Selimi nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se tashmë dihet që agjendën për Kosovën vazhdon të vendos Vuçiqi.

Ai ka shtuar se pala kosovare është dashur në këtë rast të refuzonte ftesën, pasi sipas Rexhepit, kjo po duket të jetë një nënshtrim i palës kosovare karshi Serbisë.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovës, tha se Qeveria do të bënte gabim të madh në rast se do të nënshtrohej palës serbe.

Ndërsa, Haki Shatri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha përmes telefonit se pala kosovare është vonuar. Sipas tij, është dashur shumë më herët të vendoset reciprociteti ndaj të gjitha veprimeve negative që Serbia ka bërë karshi Kosovës.

“Vetë thirrja në Bruksel tregon për shqetësimin që pala serbe ka nëse Kosova vendos t’i bllokojë mallrat e tyre, neve nuk do të duhej ta humbim këtë rast, duhet të sillemi si shtet dhe mos t’i nënshtrohemi palës serbe”, tha Shatri.

Në takimin urgjent në Vjenë, po merr pjesë Edita Tahiri, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfaqësues tjerë teknik.

Takimi i paraparë që të mbahet në Bruksel, kësaj radhe po mbahet në Vjenë për shkak se Aeroporti i Brukselit ende nuk është hapur për qarkullim të lirë pas ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit./KosovaPress/