Mustafa: Asnjë punëtori nuk i rrezikohet vendi i punës në Ferronikel

198

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi sot gjigantin e prodhimit të nikelit, “Feronikeli”, në Drenas, ku siguroi 900 punëtorët se do të angazhohet që ata të mos mbesin pa punë, duke përkrahur këtë ndërmarrje.

Kryeministri me kabinetin e tij takoi menaxhmentin e lartë të kësaj fabrike për t’i parë ecuritë e zhvillimit më të fundit pas ndalimit të prodhimit ditë më parë.

Kryeministri Mustafa tha se do të angazhohen si Qeveri dhe me ekspertë që të gjendet një zgjidhje për të krijuar kushte më të volitshme të punës së Ferronikelit, sepse është fjala për një gjigant ekonomik që është shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Drejtor gjeneral në Ferronikel, Miltiadis Tragakis, njoftoi kryeministrin për gjendjen aktuale në këtë fabrikë dhe kërkoi ndihmën e Qeverisë për të dal nga kriza. Ai tha se po tentojnë t’i mbajnë të gjithë punëtorët, me gjithë gjendjen e keqe që po kalon kjo ndërmarrje. Tragakis tha se kanë nevojë për pak kohë për të gjetur një zgjidhje.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Ferroniklit, Fehmi Nika, tha se janë informuar nga menaxhmenti ndalimin e prodhimin disa ditor për shkak të një remonti të fabrikës . Ai tha se nuk ishte brenda takimit dhe nuk di se çfarë kanë biseduar menaxhmenti dhe kryeministri sot. Nika tha se sa i përket puënsimit kjo cështje është e rregulluar me ligj dhe siç tha ai nuk do të lëshojnë ‘pe’ në asnjë mënyrë.

Ndryshe, kjo fabrikë ka ndërprerë prodhimin javën e kaluar, edhe pse asnjë punëtor ende nuk ka ndërprerë punën. Punëtorët sot u panë në fabrikë, jo për të punuar në shkritoren e fabrikës por për mirëmbajtjen e saj. /KosovaPress/