Munishi rrëfen për aventurën e tij te Gjilani dhe tregon se kush do të shpallet kampion i Superligës

2791

Trajneri i mirënjohur dhe karizmatik në futbollin e Kosovës, Ismet Munishi e ka nisur një aventurë të re te skuadra e Gjilanit.

Në një periudhë kur Gjilani po kalonte nëpër një formë të dobët, Munishi pranoi ofertën e klubit gjilanas për t’i marrë “frenat” në dorë.

Munishi në pesë përballjet e para me Gjilanin, e ka ndryshuar komplet atmosferën në kamp, duke i regjistruar tri fitore, një barazim dhe një humbje.

Në një bisedë me FrontOnline, ish-trajneri i Vushtrrisë, Feronikelit dhe Ballkanit, e ka përshkruar mjaft të mirë aventurën te Gjilani.

“Aventurën time te Gjilani e përshkruaj shumë të suksesshme në këtë fillim dhe njëherit shumë të mirë”, ka thënë fillimisht Ismet Munishi, duke treguar më pas për momentin kur pranoi ofertën e kryetarit Florim Zuka.

“Është e vërtetë se skuadra ishte në krizë të thellë rezultatesh kur shkova aty, por nuk ishte e vështirë ta pranoja ofertën duke e ditur se Gjilani ka një grup fantastik të futbollistëve dhe e kisha besimin e plotë se mund të bënim më mirë. Absolutisht na presin gjëra të mëdha”.

Se çka pritet të ndryshojë në afatin kalimtar veror te Gjilani, e thotë vetë Munishi.

“Skuadra është fantastike, por duhet ta rrisim konkurrencën. Me rritjen e konkurrencës, rriten përgjegjësitë. Kjo na duhe për vitin e ardhshëm”, theksoi ish-kampioni i Kosovës me Vushtrrinë.

Ndonëse pa objektiva këtë edicion, Munishi thotë se në çdo ndeshje, skuadra e tij do të hyjë për fitore.

“Në çdo ndeshje do të futemi për fitore dhe normalisht se mund të jemi më të relaksuar në ndonjë ndeshje, ku do t’i provojmë futbollistët e rinjë. Mirëpo, në çdo ndeshje hyjmë për tri pikë”, nënvizoi ai.

Për fund, se kush do të shpallet kampion i Kosovës sivjet, Munishi thotë se ta fitojë “ajo skuadër që e meriton”, duke shtuar se shpreson që të mos ketë dukuri negative.

“Unë shpresoj se këtë edicion, titullin e kampionit ta fitojë ajo skuadër që e meriton. Njohësit e futbollit e dinë se çfarë dua të them. Dhe jo vetëm këtë edicion, por në të gjitha edicionet e Superligës, shpresoj ta fitojë ai që e meriton. E kemi obligim që ta sjellim futbollin e Kosovës përpara me gjëra të bukura dhe spektakël që t’i argëtojmë tifozët. Shpresojmë të ketë sa më pak dukuri negative”, përfundoi Ismet Munishi.