Muller: Ishte një çmenduri, në kufijtë e komikes

162

Nuk bëri thuajse as gjë gjatë gjithë ndeshjes gjatë 90 minutave.

Por Thomas Muller ka lindur për të qenë në vendin e duhur në momentin e duhur dhe i tregoi botës edhe njëherë se mbetet një nga lojtarët më efikas në qarkullim në këtë lojë.

Me golin ndoshta më me peshë të mbrëmjes, atë të barazimit 2-2 që e dërgoi ndeshjen në shtesën aq shumë të kërkuar të gjermanëve, “mullixhiu” i Bayernit vendosi edhe një rekord personal.

Ai shënoi golin e 35-të në Champions duke e parakaluar më në fund legjendën e futbollit gjerman, Gerd Muller (34 gola). Sot 26-vjeçari është gdhirë si shënuesi më i mirë gjerman në historinë e formatit të Champions-it.

Ndeshje e çmendur

Dhe për një mbrëmje rekordesh duhet të bësh një ndeshje të çmendur siç ai e quan atë me Juventusin. E, megjithatë, ai e pranon se paraqitja e italianëve në Mynih ishte një surprizë, të cilën Bayerni nuk e kishte imagjinuar kështu. “Nuk ishte asgjë siç e kishim parashikuar, le të tregohemi të sinqertë! Ishte një ndeshje e çmendur. Ishte në kufijtë e komikes. Unë u shfaqa fare pak gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që Juventusi luajti shumë mirë”, janë fjalët e para të bomberit të kampionëve të Gjermanisë.

Besuan te përmbysja

Por ai pranon gjithashtu se nuk dyshoi kurrsesi në aftësitë e skuadrës së tij për të shënuar dy gola në pjesën e dytë, edhe pse pranon se kur minutat po pakësoheshin, Bayernit iu desh për t’i dhënë një dorë edhe fati.

“Nuk e nisëm mirë ndeshjen, por dinim gjithashtu se mund të shënonim edhe dy gola në pjesën e dytë. Megjithatë, fakti që i shënuam golat shumë vonë, ishte edhe për shkak të fatit”. Dhe, në fund, Muller e mbyll me batutat e tij të zakonshme kur e pyesin se çfarë u tha Guardiola në dhomat e zhveshjes në pushim të pjesës së parë.

“Në pushim trajneri na tha që të ruanim rendin në fushë dhe të mos luanim më pa ide. Por të them të drejtën ai tha shumë gjëra dhe unë nuk mund të mbaj mend çdo fjalë të tijën”.

/Panorama Sport/