Muaji i shenjtë i Ramazanit dhe Superliga e Kosovës, shumë futbollistë do të luajnë dhe agjerojnë

722

Superliga e Kosovës tashmë ka hyrë në fazën e fundit, që njëkohësisht gjithmonë ka rezultuar si faza më e nxehtë e kampionatit të futbollit. Në fundin e kampionatit, klubet mësojnë fatin e tyre të vitit, disa nga to largohen nga Superliga, disa dalin në Evropë, ndërsa një klub fiton titullin e kampionatit.

Por, nga dita e nesërme, futbollistëve do t’u shtohet edhe një “sfidë”, ajo e agjerimit.

Nga dita e nesërme fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, ndërsa shumë futbollistë kanë vendosur që përkundër aktiviteteve të shumta të fillojnë agjerimin.

Për të gjithë muajin e Ramazanit, futbolli në Kosovë nuk do të ndalet, pasi klubet do të luftojnë për të arritur objektivat e tyre.

Kapiteni i Gjilanit, Ylber Kastrati ka theksuar se në ekipin e tyre respektohet deri në maksimum bindja fetare e futbollistëve, derisa shtoi se ka disa futbollistë që do të agjerojnë në muajin e shenjtë.

“Në mesin tonë jemi disa futbollistë që agjerojmë, por në përgjithësi si grup jemi ekip që i respektojmë përkushtimin e njëri-tejtrit ndaj bindjeve fetare, patjetër këtu duhet shtuar faktin që kemi një president dhe shtab teknik që i respektojnë bindjet tona maksimum, kjo e bën të lehtë ndërlidhjen e futbollit me agjerim”, tha fillimisht Ylber Kastrati për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai thotë se kur janë të vendosur për të agjeruar, nuk ndjenjë lodhje apo diçka tjetër teksa zhvillojnë takimet, përkundrazi ai thotë se ndihen më të lehtësuar fizikisht.

“Nga përvoja edhe në të kaluarën kemi pas rast kur kemi agjeruar vazhdimisht dhe jemi marrë me sport, ka të bëjë me bindje ndaj Allahut dhe vendosmëri, nëse këto dyja janë në nivel, atëherë gjithçka duket normale, madje ndihemi edhe më të lehtësuar fizikisht”, përfundoi ai.

Mbrojtësi i Llapit, Elvis Prençi thotë se ka vendosur që edhe këtë vit të agjerojë, ndërsa thotë se është mësuar që njëkohësisht të bëjë aktivitetet sportive të nevojshme.

“Po, si çdo vit tjetër do të agjerojë. Normalisht që për ne që merremi me sport është pak më e vështirë, por shpresojë që Zoti na e lehtëson. Duke qenë se çdo vit jemi mesuar duke agjeruar në kohë aktiviteti, në njëfarë mënyre dhe jemi mësuar, përjashto 2-3 ditët e para sa të ambientohet dhe trupi me mungesën e ushqimit”, tha fillimisht Elvis Prençi për ‘GazetaBlic Sport’.

Qendër-mbrojtësi poashtu falënderio edhe klubin e tij, ku tha se i ndihmon në përshtatjen e orarit të stërvitjeve, kur ai agjeron.

“Duhet falënderuar dhe klubet ku luajmë, sepse për shkak të agjerimit e kanë spostuar dhe stërvitjen sa më afer orës së Iftarit. E vërtetë që kemi ndeshje shumë me rënëdësi, por si për ne, si për kundërshtarët do jetë njësoj. Shpresojmë Zoti të na e mundsojë dhe të na e pranoj agjerimin e këtij muaji të bekuar”, përfundoi mbrojtësi i Llapit.

Në pothuajse të gjitha klubet kosovare, ka futbollistë që do ta praktikojnë agjerimin, pavarësisht orarit të ngjeshur të takimeve që kanë.

Zyrtari i klubit të Feronikelit, Erlind Krasniqi ka theksuar se edhe tek klubi i tyre ka një numër të konsiderueshëm të lojtarëve që do të agjerojnë – por kjo s’i pengon aspak klubit. Ai thotë se KF Feronikeli i respekton bindjet e secilit në klub.

“Ka lojtarë shumë që agjerojnë, normal është më e vështirë se ditëve tjera, por nuk janë ndalur asnjëherë dhe vazhdojmë prap edhe këtë vit. Ska pas probleme asnjeherë tek lojtarët, mundohemi me ua përshtat stërvitjet në këtë muaj dhe i respektojmë bindjet e secilit në klub”, tha Erlind Krasniqi.

Edhe tek klubi i Drenicës, një numër i shumtë i lojtarëve do të agjerojnë në këtë muaj të Ramazanit.

Portieri i Drenicës, Arion Ymeri ka theksuar se këtë vit akoma nuk ka vendosur nëse do të agjerojë, por thotë që agjerimi dhe zhvillimi i aktiviteteve sportive nuk është gjë e lehtë.

“Nuk e di se a do të agjerojë këtë vit. Është shumë e vështirë për çdo sportist, jo vetëm për ne si futbollistë, pasi që koha e gjatë për agjerim dhe stervitjet që nuk janë të lehta, e që zgjasin të paktën dy orë shkaktojnë etje, pasi pa ushqim mund të qëndrojmë më lehtë”, tha fillimisht Arion Ymeri për ‘GazetaBlic Sport’.

Ymeri zbulon se në të kaluarën ka pasur rast kur ka zhvilluar ndeshje kur ka qenë duke agjeruar.

“Ka ndodhë viteve të kaluara kur kampionati ka qenë në përfundim, na ka ra një lojë që kemi qenë agjërueshëm dhe e kemi kaluar jo me shumë veshtirësi, mirëpo këtë vit është ndryshe, pasi që na bie i gjithë muaji i Ramazanit në kampionat… Për ndjenja, ata që kanë agjeru e din si ndihen kur vjen Iftari pas një dite të gjatë pa ngrënë dhe pa pi, është një sakrificë e madhe dhe në fund të ditës kur vjen Iftari është një lehtësim i shpirtit kisha me thënë. Në fund ju uroj të gjithëve agjerim sa më të lehtë”, përfundoi Ymeri.

Sulmuesi i Arbërisë, Almir Kryeziu potencoi se gara për të mbetur në Superligë është e nxehtë, por kjo nuk e ndalon atë që të kryejë obligimin fetar.

“Jemi në dijeni që gara në fundin e tabelës është shumë e “nxehtë”, por padyshim se edhe muajin e shenjtë do e agjerojë, sepse eshte obligim fetar. Po, ka ndodhë të paraqitem në ndeshje në ditën kur kam qenë agjërueshëm, ka qenë pak e vështirë, mirëpo me ndihmen e Zotit ia kam dal”, tha Almir Kryeziu.

Ylli i Drenicës, Qemail Elshani thotë se garë si kjo e edicionit të sivjetshëm nuk është parë moti në futbollin kosovar, megjithatë “gara” e agjerimit po del të jetë shumë e mirëpritur për të.

“Një kampionat i tillë dhe një garë si kjo nuk është parë moti në futbollin e Kosovës. Një garë tjetër që pritet të fillojë nga neser për gjithë futbollistët musliman do të jetë gjithashtu e mirëseardhur dhe e mirëpritur, duke marrë parasysh dobitë e shumta të agjerimit. Nuk do të jetë e lehtë, ashtu sikurse që nuk është e pamundur, do të fillojmë me agjerimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, me shpresen dhe bindjen e plotë se suksese të medha na presin në jetët tona”, tha Elshani.

Vlen të theksohet se muaji i Ramazanit fillon nesër, ndërsa përfundon me 12 maj.