Mjafton Lewandowski, Bayerni marshon drejt titullit

128

Bayerni i Mynihut fluturon me Robert Lewandowskin. Sulmuesi polak rezultoi sërish vendimtar për skuadrën bavareze në suksesin minimal në fushën e Kolnit, skuadër me të cilën luante titullar mbrojtësi i kombëtares shqiptare Mërgim Mavraj. Energjitë e shpenzuara në sfidën e 1/8-ave të Championsit ndaj Juventusit kushtëzuan disi paraqitjen e kampionëve në fuqi të Bundesligës në këtë ndeshje të javës së 27-të, ku rastet për shënim ishin më të pakta.

Bayerni e zgjidhi takimin pa u mbushur 10 minuta lojë me golin e Robert Lewandowskit, që u tregua i saktë me një goditje nga jashtë zonës, që rezultoi e pakapshme për portierin Horn.

Pas këtij episodi bavarezët e administruan me zgjuarsi ndeshjen për ta cuar në 7 pikë diferencën me Dortmundin, që luan në transfertë me Augsburgun.

Përfundoi në barazim 1-1 sfida mes Verder Bremenit dhe Mainzit,  me formacionit e Viktor Skrypnyk që mbetet pranë zonës së ftohtë.

Baumgartlinger befasoi vendasit në minutën e 38-të pasi shfrytëzoi më së miri një pasim të Malit.

Në minutat shtesë të pjesës auori i golit që zhbllokoi sfidën shkaktoi një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Claudio Pizzarro.

Asgjë nuk ndryshoi gjatë pjesës së dytë, me të dyja ksuadrat që ndanë nga një pikë.