Miqësore: Gjilani – Prishtina ndahen në paqe 2:2 (1:1)

213

Gjilan, 15 janar – Në kuadër të fazës përgatitore, Gjilani dhe Prishtina kanë zhvilluar një ndeshje miqësore, në terenin me bari sintetik në qytetin e Gjilanit. Megjithëse, skuadrat ndodhen në fazën fillestare të përgatitjeve, kanë zhvilluar një ndeshje të pëlqyeshme për shumë të pranishëm që kishin ardhur për ta parë ndeshjen nga afër.

Me disa ndryshime në përbërje, trajnerët e dy skuadrave e nisën ndeshjen me formacionin më të mirë që kishin në dispozicion, me skuadrën e Gjilanit që dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes. Pas trysnisë drejt portës, mike, skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli, merr rendimentin e kërkuar në minutën e 20-të. Një goditje e mrekullueshme nga dënimi e ekzekutuar në mënyrë briliante nga sulmuesi Isa Eminhazeri, ka përfunduar në rrjetën e Alban Muqiqit.

Në vijimin e ndeshjes, ishin futbollistë prishtinas, ata që e kërkuan golin. Përmes ndërprerjeve nga këndi rrezikuan disa herë, Kukaj dhe Krasniqi, por pa sukses. Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, udhëtuesit marrin atë që kërkojnë. Golin e barazimit e gjejne përmes sulmuesit Labinot Osmani që afër zonës gjuan për mrekulli, për ta ‘thyer’ më në fund ‘gardianin’ vendas, Faton Maloku.

Me shifra të barabarta u mbyll fraksioni i parë i lojës, (1-1).

Në periudhën e dytë të lojës, trajnerët vendosën të ndërronin përbërjet, duke provuar kështu futbollistë të shumtë, drejt hulumtimit të një formacioni ideal që do shërben për realizimin e objektivave në fazën finale të kampionatit.

Sërish janë vendasit, ata që diktojnë tempon e lojës dhe shpejt rigjejnë rrugën drejt portës. Një aksion model i ndërtuar nga Labinot Shabani dhe Salih Kosumi, që brenda zonës me ne një goditje volej orienton topin drejt portës së Visar Bekajt, për të sjellur sërish epërsinë në taborrin gjilanas.

Në vazhdimin e ndeshjes, dy skuadrat luajtën futboll mjaft të hapur dhe krijuan shumë raste shënimi, mirëpo ‘gardianët’, Gagica dhe Bekaj, kishin mbyllur portat e tyre rrespektive. Mirëpo, heshtjen në fund e thyen, futbollisti i ardhur në këtë afat tek Prishtina, Makenda realizon një gol të bukur, për të mbyllur llogaritë në këtë ndeshje, (2-2).

Miqësore:

Gjilani – Prishtina 2:2 (1:1)

Golat: Eminhaziri 20’, Kosumi 50’ – Osmani 40’, Makenda 85’

Stadioni me bari sintetik, Gjilan

Gjilani: F.Maloku, Y.Maliqi, F.Hasani, Y.Kastrati (c), A.Shala, B.Kera, F.Shaqiri, E.Shabani, G.Rusi, A.Rexhepi, I.Eminhaziri.

Luajtën edhe: E.Gagica, A.Hyseni, E.Hyseni, R.Havolli, F.Marovca, S.Kosumi, A.Bajraliu, Z.Mustafa, L.Shabani, E.Kuka, B.Morina, L.Ferati, M.Gagica. Kryetrajner: Bylbyl Sokoli

Prishtina: A.Muqiqi, P.Islami, M.Milloviç, L.Kukaj, A.Thaqi, D.Krasniqi (c), P.Osmanim, E.Krasniqi, G.Begolli, D.Gashi, L.Osmani.

Luajtën edhe: V.Bekaj, L.Beqiri, A.Muqiqi, G.Dumani, A.Basha, A.Grajqevci, Q.Sejdiu, D.Gashi, E.Berisha, G.Makenda. Kryetrajner: Sami Sermaxhaj.