Ministria e Shëndetësisë nënshkruan marrëveshje me AVSI për trajtimin e pacientëve kosovarë

134

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Shoqata Humanitare ”AVSI” – Guariamoli kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim të përkrahjes së trajtimit të pacientëve – fëmijëve kosovarë në Itali.

Përmes Marrëveshjes së nënshkruar nga Ministri, Imet Rrahmani, dhe Marash Kukeli, Përfaqësues Përgjegjës për Kosovë i AVSI-Guarimoli, kjo shoqatë do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë asistencë për pacientët, përkthimin, përgatitjen e dokumenteve, shoqërimi në ambasadë për vizë, sigurimin e trajtimit të fëmijëve dhe të sëmurëve të tjerë në Spitalet e ndryshme të Italisë pa pagesë ose me pagesë të reduktuar, thuhet në komunikatën për media.

Ministri Rrahmani ka falënderuar Shoqatën AVSI për ndihmën që deri tash u ka ofruar pacientëve kosovarë të trajtuar për sëmundje të ndryshme në Itali, ndërkohë që ka vlerësuar se aktivitetet e bashkëpunimit do ta kenë për qëllim mbështetjen e pacientëve me qëllim të lehtësimit të marrjes nga ana e tyre të shërbimeve mjekësore në Itali për ato sëmundje që nuk mund të trajtohen në tërësi në Kosovë.

Nga viti 2011 e këtej, në Itali janë trajtuar përmes Ministrisë rreth 150 raste të ndryshme, prej të cilave pjesa më e madhe e tyre falas, falë bashkëpunimit me autoritetet shëndetësore italiane të niveleve të ndryshme.