Minatorët nxjerrin pikë të arta në Gjilan

194

Trepça ’89 ka marrë një fitore mjaft të vështirë në Gjilan, mirëpo shumë të rëndësishme. Ka mjaftuar një gol i vetëm i sulmuesit Blerand Kurtishaj në pjesën e parë të lojës, që skuadra e Gani Sejdiut të marrë pikët e plota nga ballafaqimi ndaj Gjilanit, por më tepër hakmarrjen për disfatën e pësuar në Riza Lushta gjatë sezonit vjeshtor, njofton Gazeta Sheshi.

IMG_7960 Një rast një gol

Futbollistët vendas nisin ndeshjen me motivin e lartë për të marrë tre pikët e arta që do i mundësonin të rikthehej në pozitën e parë të renditjes tabelare.
Ishte mesfushori Betim Haxhimusa i cili rrezikoi portën i pari në minutën e shtatë, por goditjen e tij me mjaft vështirësi e ndali gardiani Arben Beqiri.

Dhjetë minuta më vonë Shkëmbim Salihu ka një mundësi të mirë shënimi, derisa në momentet e fundit mbrojta mike e largon rrezikun. Rregulli i pashkruar i futbollit, kur nuk e shënon e pëson, i ndodhi edhe skuadrës së Gjilanit.
Nga një aksion që nuk premtonte shumë, miqtë realizojnë në minutën 22-të. Kapiteni Shpëtim Idrizi shërben bukur brenda zonës Kurtishajn që me qetësi e orienton topin drejt rrjetës së Kaçiut, për 0-1.

Në vazhdim vendasit u hodhën në sulm për ta kërkuar golin e baraspeshës, mirëpo pa ndonjë sukses. Mbrojtësi i krahut Arago Jamal tentoi goditjen nga ndërprerja, por në momentin e fundit ndërhyn Beqiri për ta shmangur golin.

Pa donjë rast tjetër për shënim, skuadrat shkojnë drejt dhomave të zhveshjes.

IMG_7952 Loja në një portë

Sërish janë futbollsitët vendas ata që marrin lojën nën kontroll dhe qysh në aksionin e parë kanë mundësinë për të realizuar. Pasi shërbehet bukur nga Salihu brenda zonës, Haxhimusa gjuan bukur, por jo sa për ta mposhtur gardianin Beqiri.
Disa minuta më vonë rasti më i mirë për ta barazuar rezultatin i tregohet Arbër Shalës, mirëpo futbollisti i krahut i gjendur përballë gardianit Beqiri, nuk tregohet i vëmendshëm, madje duke harruar edhe të gjuaj.

Përkundër zëvendësimeve të kryera nga trajneri vendas Bylbyl Sokoli dhe rotacioneve në fushë, futbollistët vendas nuk gjetën më forcën për të sulmuar dhe ta gjetur golin e barazimit, duke lejuar kështu të ikin tre pikë mjaft të rëndësishme në luftën për titullin kampion, që në fund mund të jenë edhe vendimtare.

Gjilani mbetet në pozitën e tretë të renditjes tabelare me 36 pikë, derisa Trepça ’89 ngritet në pozitën e pestë me 32 pikë, tani gjashtë më pak se lideri Hajvalia që ka 38 sosh.

IMG_7961 Gjilan: Gjilani – Trepça ’89  0-1 (0-1)
Stadiumi: I Qytetit
Shikues: 800
Gjyqtarë: B.Kosumi, A.Ejupi, A.Latifi, I.Shuleta
KV: Potoku, Pevqeli (Trepça ’89)
Shënues: Kurtishaj 22’

Gjilani: Kaçiu, Shala, Jamal, Hyseni, Hasani, Mustafa, Haxhimusa (Maliqi), Shabani, Salihu, Rexhepi (Sackey), Rusi (Kosumi). Trajner: Bylbyl Sokoli.

Trepça  ’89: Beqiri, Hajdari, B.Idrizi, Turku, Potoku, Mustafa, Maloku, Pevqeli, Sh.Idrizi (Hasani), Kurtishaj (Troshupa), Akinyemi (Johon). Trajner: Gani Sejdiu.

/Gazeta Sheshi/