Messi, mesatare të frikshme golash edhe në 2016

161

Pas fitimit të Topit të 5-të të Artë në karrierë nga Lionel Messi shumë mund të kenë menduar se ky trofe në 2016-tën nuk do të shkojë më as në duart e argjentinasit e as në ato të Cristiano Ronaldos, dy fituesve të vetëm në 8 vitet e fundit.

Por duke parë ecurinë e deritanishme të yllit të Barcelonës gjatë këtij viti gjasat janë që Topin e Artë ta fitojë sërish Leo Messi. 28-vjecari e ka hedhur plotësisht pas shpatullave atë dëmtim që pësoi në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe në 2016-tën ngjason më shumë një tigër të uritur sesa me një futbollist që ka fituar gjithcka në karrierë në nivel klubesh. Me tregolëshin që realizoi në sfidën të La Ligas ndaj Rayo Vallecanos argjentinasi arriti kuotën e 20 finalizimeve gjatë këtij viti, një shifër mbresëlënse kjo edhe për një lojtar të jashtëzakonshëm si Messi, përcjell lajmin Super Sport.

Asnjë si Leo në 2016-tën madje ai qe mund ti afrohet disi është vetëm shoku i skuadrës Luis Suarez i cili ka shënuar 15 gola në të gjithë kompeticionet. Ritmi i golave të Messit në 2016-tën është me të vërtetë fantastik dhe nëse vazhdon me këto ritme ai mund të thyejë edhe rekordin personal përsa i përket finalizimeve në një vit kalendarik. Me 20 gola të realizuar në vetëm 63 ditët e para të këtij viti Messi ka bërë më mirë edhe se në 2012-tën kur me 91 gola personalë theu rekordin e gjermanit Gerd Myler me 85 finalizime që rezistoi për plot 40 vite. Në 2012-tën deri në datën 4 Mars, Messi kishte shënuar vetëm 17 gola, 3 më pak se këtë vit. Statistika këto që të bëjnë të mendosh se 28-vjecari është një futbollist i një tjetër planeti.