Mesazh për Francën, 7 mijë tifozë kuqezi në Vjenë

106

Askush nuk ka dyshime që tifozët shqiptarë do të dynden drejt Francës, për pjesëmarrjen historike të Kombëtares në Kampionatin Europian. Për të dhënë një provë të asaj që pritet të ndodhë në Francë, shërbeu miqësorja e Kombëtares në Vjenë përballë Austrisë. 7 mijë tifozë të pranishëm në Ernst Happel Stadion, mbështetja e të cilëve u dëgjua prej momentit të himnit kombëtar. Flamujt kombëtare u shfaqën thuajse në të gjitha tribunat e impiantit të kryeqytetit austriak, ndërsa një pjesë e madhe e tifozëve, përveç simboleve kuqezi, nga fanellat te shallët, mbanin edhe plisat.

Mbështetja për Kombëtaren nuk mungoi pavarësisht disavantazhit me Austrinë, ndërsa entuziazmi arriti në maksimum në momentin e golit të Lenjanit. Kjo ishte prova: Shqipëria do të jetë një prej skuadrave që pa asnjë dyshim do të ketë mijëra mbështetës në finalet e Euro 2016. Për t’i kthyer ndeshjet në shfaqje krenarie kombëtare dhe mbështetje për Kombëtaren kuqezi, ndërsa evenimentin në një festë futbolli.