Me Kosovën apo me Shqipërinë? Vokrri sqaron dilemat

255

Me njohjen zyrtare nga FIFA të Federatës së Futbollit të Kosovës në mënyrë direkte kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat që mund të largohen nga kombëtaret e tjera drejt shtetit më të ri futbollistik.

Shqipëria me të gjitha gjasat është ajo që mund të preket më shumë nga eksodi potencial, diçka për të cilën foli edhe kreu i FFK-së.

Fadil Vokrri deklaroi se FIFA në mënyrë indirekte u ka dhënë detaje mbi punën e kërkesës, për të cilën janë duke pritur gjithë dashamirët e përfaqësueses së Kosovës. Legjenda e futbollit kosovar e la topin në fushën e lojtarëve që duan përfaqësuesen e re.

“Në mënyrë indirekte na është thënë se duhet që secili lojtar që dëshiron të veshë fanellën e Kosovës, bashkë me FFK-n duhet të bëjnë kërkesën në FIFA dhe më pas, shtëpia e futbollit botëror vendos nëse lojtari në fjalë mund të luajë për Kosovën”, tha Vokrri.

Numri 1 i futbollit kosovar theksoi se vetëm lojtarët shqiptarë që nuk kanë prejardhje nga Kosova kanë pak gjasa për t’u lejuar nga FIFA. Ai beson se kjo çështje do të mbyllet gjatë muajit gusht.