Majko: 24 marsi, ditë për të kuptuar kush ishin miqtë e ditëve të vështira

141

Ai ishte Kryeministër i Shqipërisë, në kohën kur NATO nisi bombardimet ndaj caqeve dhe forcave serbe po dëbonin, masakronin dhe vrisnin shqiptarët autoktonë në Kosovë.

Pandeli Majko, sot përmes një shënimi në rrjetin social Facebook, ka kujtuar marsin e 1999-ës për Kosovën, duke e cilësuar si një fillim luftë e NATOS në Kosovë.

Ky është shënimi i Pandeli Majkos , në kujtim të 24 marsit:

Një ditë e vështirë për tu kujtuar si cdo fillim Lufte. Ajo ka pamjen e shqiptarëve nga Kosova të dëbuar, të heshtur, kokëulur dhe pashpresë të cilëve ju refuzohej ekzistenca.

Sot, përvjetori i 17-të i fillimit të Luftës së Natos në Kosovë. Perëndimi i doli në krah shqiptarëve duke përcaktuar historinë e tyre të re. Amerikanët, britanikët dhe të tjerët u rreshtuan në krah të shqiptarëve të masakruar.

Një ditë për të kthyer kokën dhe kuptuar kush ishin miqtë e ditëve të vështira. Ditë e shënuar me dhimbje kur koha filloi të ndryshonte kahje dhe të punonte për shqiptarët.

Mirëmëngjes Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Ferizaj… Sot, 17 vjet më parë ishte një ditë me bomba. Po flitej shqip… Ju përshëndes nga Tirana.