Madridi përgatit ofertën për Hysajn

127

Elseid Hysaj në radarin e Atletico Madrid. Diego Simeone kërkon mbrojtësin shqiptar te skuadra e tij për të forcuar repartin e mbrojtjes në sezonin e ardhshëm, duke dhënë sinjale në drejtim të Napolit. Vetëm një sezon pas transferimit të shkodranit te Napoli, niveli i lartë i shfaqur me të kaltërit nuk ka kaluar pa rënë në sy dhe janë pikërisht spanjollët që kërkojnë ta shkëpusin mbrojtësin kuqezi nga Napoli.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, Atletico Madrid po përgatit një ofertë për t’ia prezantuar presidentit De Laurentiis, i cili do të thotë fjalën e fundit. Në Napoli do të marrin gjithë kohën e duhur për të vlerësuar ofertën e “Los Colchoneros” pasi drejtuesit e skuadrës nuk dëshirojnë të trazojnë ambjentin në kulmin e sezonit. Skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri vazhdon të mbetet në luftën për titullin kampion dhe një vendim përpara fundit të sezonit mund të krijojë probleme në grup pasi Hysaj është titullari i krahut të djathtë të mbrojtjes ku gjatë këtij sezoni ka ulur në stol një emër të spikatur si Christian Maggio.