Luhen ndeshjet e javës së fundit, Besa Famgas drejt një edicioni pa humbje

117

Të mërkurën e të enjten luhen ndeshjet e javës së 28-të të Superligës A të Kosovës në hendboll. Është kjo java e fundit e stinorit të rregullt në kampionatin e hendbollistëve. Më pas titulli i kampionit përcaktohet përmes plejofit.

Të mërkurën prej orës 17:30 është takimi Vëllaznimi – Trepça. Vëllaznimi kërkon fitore për të barazuar pikët me Kastriotin dhe për të shpresuar që të paraqitet në plejof. Aktualisht Kastrioti është i katërti me 26 pikë ndërsa Vëllaznimi i pesti me 24 pikë. Nëse Vëllaznimi fiton ndaj Trepçës dhe Kastrioti humb ndeshjen e fundit, atëherë skuadra gjakovare përfundon e katërta.

Trepça është e treta me 28 pikë dhe në këtë pozitë do ta përfundoj kampionatin.

Të enjten janë dy ndeshjet tjera. Prej orës 17:30 takohen Besa Famgas e Drenica. Skuadra pejane, Besa Famgas nuk pritet të ketë telashe. Kështu kampionia aktuale pritet ta përfundoj edhe një edicion të rregullt me vetëm fitore. Besa Famgas ka fituar 27 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 54 pikë. Drenica është e gjashta me 16 pikë.

Prej orës 19:00, të enjten, takohen Prishtina e Kastrioti. Prishtina është e dyta me 43 pikë dhe prej kësaj pozite do të startoj në plejof. Me fitore eventuale të Vëllaznimit ndaj Trepçës, ndeshja në kryeqytet do të ishte shumë e rëndësishme për Kastriotin, që do t’i duheshin pikë për ta mbajtur vendin e katërt.