Liria fiton në tavolinë ndeshjen ndaj Vëllaznimit (3-0)

1498

Klubi Futbollistik “Liria” e ka fituar në tavolinë duelin e humbur në fundjavë ndaj Vëllaznimit (1-2), raporton Gazetasheshi.com.

Komisioni i Garave ka vendosur ta pranojë ankesën e klubit prizrenas, pasi që ‘kuqezinjtë’ nga Gjakova kishin inkuadruar një futbollistë pa të drejtë loje dhe kështu i japin fitoren në tavolinë me rezultat zyrtar (3-0).

Vendimi është publikuar tashmë edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës:

Aprovohet ankesa e KF Liria si e bazuar dhe ndeshja e javës së 26-të e Ligës së Parë, Grupi ”A”, ndërmjet KF Liria – KF Vëllaznimi, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Liria.

Komisioni i garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Liria – KF Vëllaznimi, java e 26-të, Liga e parë – Grupi ”A”, konstatoi se KF Liria ka parashtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF Vëllaznimi, me nr.16 Argjend Ahmetaj, nr ID 02362M99, për arsye se lojtari është aktivizuar në lojë në minutën e 46-të dhe nuk ishte në protokollin zyrtar të ndeshjes të nënshkruar nga përfaqësuesit zyrtar të të dy klubeve.

Gjatë administrimit të provave KG konstatoi se ankesa është e parashtruar në afatin ligjor, e lejuar, e taksuar dhe i përmbushë të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga KG.

Pas verifikimit të protokollit zyrtar të ndeshjes KF Liria – KF Vëllaznimi, KG ka vërtetuar se lojtari i lartcekur nuk ishte i evidentuar në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes, andaj KG konstatoi se kemi shkelje të nenit 76, paragrafi 1, pika 7 të Rregullores së garave dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0, në favor të KF-Liria.

/Gazeta Sheshi/