Licensimi i Dukagjinit për garat evropiane, ky është sqarimi nga UEFA dhe FFK

1819

lubi nga Liga e Parë e Kosovës në futboll, KF Dukagjini befasoi të gjithë duke e arritur finalen e Kupës, ku do të takohet me KF Llapin, më datë 12 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Fituesi i finales së Kupës së Kosovës në futboll siguron pjesëmarrjen në garat evropiane. Por, për të garuar atje, fillimisht ekipet duhet të licensohen.

KF Llapi tashmë ka marrë dritën jeshile, por KF Dukagjini jo, pasi duhet t’u nënshtrohen disa procedurave tjera për shkak se nuk janë ekip i rangut elitar.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në drejtim të UEFA-s lidhur me këtë çështje.

“Procedura e lejeve të veçanta është e sqaruar në artikullin 15 të Rregullores së UEFA-s për Licensimin e Klubeve dhe Fair Play Financiar. Klubi në pyetje ende nuk e ka siguruar kualifikimin në një garë të UEFA-s, prandaj nuk mund të japim informacionet të tjera” – thuhej në përgjigjen e UEFA-s.

Në Rregulloren e UEFA-s për këtë çështje, artikulli i 15-të e qartëson se klubi që nuk është në divizionin më të lartë duhet të pajiset me një leje të veçantë, e cila vlen vetëm për atë klub dhe për atë sezon.

“Nëse një klub kualifikohet për një garë të UEFA-s për merita sportive, por nuk i është nënshtruar ndonjë procesi licensimi ose i është nënshtruar një procesi licencimi, e cila është më e vogël / jo ekuivalente me atë të zbatueshme për klubet e divizionit të lartë për të hyrë në garat e UEFA-s për klube, sepse ajo i përket një divizioni tjetër, klubi në fjalë mund të kërkojë një aplikim të jashtëzakonshëm të sistemit të licencimit të klubit në përputhje me Aneksin IV. Bazuar në një aplikim të tillë të jashtëzakonshëm, UEFA mund të japë leje të veçantë klubit për të hyrë në garën e UEFA-s për klube. Një aplikim i tillë i jashtëzakonshëm vlen vetëm për klubin specifik dhe për sezonin në fjalë” – thuhet në Rregulloren e UEFA-s.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës që ka konfirmuar se klubi i Dukagjinit ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar dhe tani UEFA do ta shqyrtojë aplikimin.

“Klubi tashmë ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e kërkuar në kriteret për klubet e rangut të dytë dhe si i tillë dokumentacioni është përcjellë në UEFA, që shqyrton aplikimet e jashtëzakonshme të klubeve që nuk janë pjesë e rangjeve elitare” – thuhej në përgjigjen e FFK-së.

Në rast se Dukagjini e fiton Kupën e Kosovës, por nuk licensohet nga UEFA për pjesëmarrje në garat evropiane, atëherë vendin e tij për përfaqësim në garat evropiane do ta zërë klubi i tretë më së miri i ranguar në Kampionat, e që është i licensuar për këto gara.