Libi, milicitë pro-qeveritare i marrin ISIS qytetin e Sirtes

165

Milicitë libiane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara deklarojnë se kanë marrë nën kontroll shtabin qendror të Shtetit Islamik në Sirte.

“Qendra Uagadugu ndodhet në duart tona”, ka deklaruar një zëdhënës i forcave pro qeverisë së unitetit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Sirte, i ndodhur në bregun mesdhetar, është bastioni më i rëndësishëm i ISIS në Libi. Qyteti ka qenë nën kontrollin e grupit në fjalë që prej shkurtit të vitit 2015.

Trupat pro-qeveritare deklarojnë se anëtarët e ISIS kanë nën kontroll ende tre pozicione në zonat e banuara të Sirtes dhe në një kompleks vilash në bregdet.

Por, marrja e qendrës Uagadugu përbën një arritje jetike në ofensivën e nisur ndaj kalifatit në javët e fundit. Luftëtarët kanë marrë gjithashtu spitalin Ibn Sina dhe kampusin universitar, ka saktësuar zëdhënësi Rida Issa.

Gjatë luftimeve të paktën 3 luftëtarë libianë kanë mbetur të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur, ka vijuar zëdhënësi. Nga ana e tij, Shteti Islamik ka njoftuar se ka humbur 20 anëtarë.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se ISIS ka më pak se 1 mijë anëtarë në Sirte, shumica e të cilëve janë të huaj dhe veteranë të konflikteve në Siri dhe Irak.