Lëndimi ia mohoi duelin me PSG-n futbollistit të Llapit

180

Më 20 janar 2012, Visar Zogiani po bëhej gati të luante ndeshjen e karrierës. Sa afrohej koha të luhej ndeshja e Kupës së Francës ndërmjet skuadrës së tij të para katër vjetëve, Sable sur Sarthe, kundër gjigantit francez PSG, emocionet për Zogianin po shtoheshin.

Por, tri ditë para se të zhvillohej kjo ndeshje, Zogianit iu shua shpresa për të luajtur ndeshjen jetësore. Ai pësoi një lëndim, që e la jashtë ekipit bazë.

“Në stërvitje pësova një lëndim serioz nga një bashkëlojtar, lëndim i cili ma pamundësoi paraqitjen në ndeshjen kundër PSG-së”, kujton fatin e hidhur Zogiani.

PSG-ja atëbotë udhëhiqej nga njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në botë, Carlo Anelotti. Në PSG luanin edhe yjet si Pastore, Menez, Sakho, Sissoko, Sirigu, Cameiro, Nene, Maxwell e disa të tjerë, shkruan sot Koha Ditore.

E për Zogianin ky është meraku jetësor që nuk pati mundësi të ndajë një fushë kundër yjeve të PSG-së.

“Sa të kem jetë do të më mbetet pikë në zemër që nuk kam mundur të paraqitem në këtë ndeshje, edhe pse trajneri më përfshiu në 18-shen e lojtarëve”, ka theksuar Zogiani, i cili aktualisht luan për Llapin.

Por, Zogiani e di mirë se ndryshe është kur përfshihesh vetëm në ekip e ndryshe kur luan.

“Do të ishte ndjenjë tjetër sikur të paraqitesha në fushë, qoftë edhe disa minuta. Ndeshja luhej para 25 mijë shikuesve”, ka thënë Zogiani.

“E kam fanellën e Menezit dhe lojtarit turk që luan në Përfaqësuesen e Turqisë, Mevlan Erdinç”, ka thënë Zogiani që në Francë qëndroi për dy vjet, pasi kishte kaluar provat në ekipin francez jo fort të njohur.