Leicesteri përgatitet për titullin më 24 prill

144

Leicester City mund të kurorëzohet kampione e Anglisë ashtu siç Sir Alex Ferguson e ka parashikuar, tri javë përpara fundit të kampionatit.

Statistikat i japin të drejtë parashikimit të ish-menaxherit të Manchester United në rast se “dhelprat” do të përsëritin rezultatet e fazës së parë ndaj rivaleve të ardhshme, atëherë ata nuk do të presin javën e fundit për ta ngritur trofeun për herë të parë në historinë e klubit.

Skuadra e Claudio Ranierit kryeson pas 31 javëve 5 pikë e shkëputur përpara Totenhemit. Arsenali dhe Manchester City kanë një ndeshje më shumë në dispozicion se dy vendet e para, por ato renditen respektivisht 11 dhe 15 pikë pas kreut.

Kjo do të thotë se ndeshja në “King Power Stadim” përballë Swansea të dielën e 24 prillit mund të jetë një moment historik për ta. Ndeshja e tyre e radhës do të jetë Sauthemptoni, e pasuar nga sfida me Sunderland  dhe ajo me West Ham United.

Në fazën e parë, Leicesteri u ka marrë 7 pikë këtyre tri rivaleve. Dhe përsëritja e këtij rezultati do t’i dërgonte ata në kuotën e 73 pikëve me 4 ndeshje deri në fund. Ndërsa Totenhemi ka arritur vetëm dy barazime dhe një humbje ndaj tre kundërshtarëve të radhës, Liverpoolit, Manchster United dhe Stoke City.

Policia merr masa – Policia e Leicesterit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e skuadrës në Champions sezonin e ardhshëm. “Ne nuk duam të bëjmë tersin, por nëse gjërat shkojnë kështu siç po shkojnë, atëherë Championsi nuk është aspak larg.

Dhe duke qenë se ne nuk përgatisim një ndeshje në Europë që prej vitit 2000 (Kupa UEFA), atëherë duhet të jemi të përgatitur”, deklaroi Fill Kej, një nga shefat e policisë.

/Panorama Sport/