Led Zeppelin nuk arrijne te nxjerrin as shpenzimet gjyqësore

219

Pasi fituan gjyqin ku akuzoheshin për plagjiaturë në lidhje me superhitin “Stairway to Heaven”, grupi Led Zeppelin nuk ka mundur të rikuperojë 800 mijë dollarë shpenzime gjyqësore për këtë çështje, në kundërpadinë e ngritur ndaj grupit “Spirit”, të cilët pretendonin se kënga e legjendarëve të “rock”-ut ishte e ngjashme me hitin e tyre “Taurus”.

Gjykatësi R. Gary Klausner tha se çështja nuk ishte e qëllimshme për përfitime monetare. Sipas vendimit të tij, nuk ka asnjë provë se trashëgimtarët e kitaristit të “Spirit”, Randy Wolfe kishin “ushqyer motive të ulëta”. Për këtë shkak, ata nuk janë të detyruar të ripaguajnë shpenzimet ligjore për bandën e “rock”-ut.

Pasardhësit e Wolfe, i njohur më së shumti si Randy California, pretenduan se Jimmy Page dhe Robert Plant të grupit Led Zeppelin, kishin vjedhur notat e para të këngës “Stairway to Heaven” të vitit 1971 nga kënga “Taurus”, një produkt instrumental i publikuar 3 vite përpara superhitit të bandës rock. Megjithatë, juria që mori në shqyrtim këtë çështje plagjiature vendosi se “Taurus” nuk ishte “ekzaktësisht i ngjashëm” me hyrjen e “Stairway”.