LDK: Akti i djegies se veturave synon kaosin dhe anarkine

128

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar ashpër djegien e veturës së shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri.

LDK në një reagim, cilëson se ky veprim i ulët kriminal, është sulm i drejtuar kundër institucioneve, përfaqësuesve legjitimë dhe kundër funksionimit demokratik të Republikës së Kosovës.

“I ndodhur në vazhdën e sulmeve kriminale që kanë ndodhur së fundi brenda dhe jashtë institucioneve, edhe ky akt ka për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki për përfitime politike të subjekteve të caktuara me agjenda të qarta antiperëndimore”, thuhet në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin rrethanat e kësaj ngjarjeje kriminale me prapavijë të qartë politike dhe antishtetërore, si dhe fton partitë politike që muajt e fundit kanë futur në jetën politike gjuhën e molotovëve dhe të gazrave helmuese e veprimet e tjera të dhunshme, që të braktisin këtë rrugë të neveritshme, e cila cenon interesat madhore të qytetarëve dhe themelet e Republikës së Kosovës.

LDK rithekson vendosmërinë e saj të palëkundur për të vazhduar rrugën tradicionale në mbrojtje të Republikës dhe institucioneve të saj, pa marrë parasysh veprimet e dhunshme dhe kërcënimet e njerëzve me agjenda dhe kauza rrënuese dhe antiperëndimore.

“Republika e Kosovës do të ecë përpara në rrugën euroatlantike të vlerave demokratike perëndimore, me besimin e plotë të qytetarëve të saj dhe në partneritet të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera mike, përkundër përpjekjeve të dështuara të anarkistëve dhe grupeve parapolitike rreth tyre”, përfundon reagimi i LDK’së.