Lazio – Berisha, vjen lajmi pozitiv

164

Lazio i garanton një vend në formacionin titullar Etrit Berishës.

Klubi i Serisë A duket se i është përgjigjur paralajmërimit të portierit shqiptar që, menjëherë pas mbylljes së sezonit dhe pjesëmarrjes në Kampionatin Europian, kërkoi garanci për të luajtur, ose në të kundërt do të shihte alternativa të tjera për të vazhduar karrierën.

Çështja e portierit titullar është një prej argumentave më të nxehtë në klubin bardhekaltër në këtë merkato vere. Lazio ka disa portierë në dispozicion dhe klubi duhet të zgjedhë kujt do t’ia besojë portën.

Pas huazimit të Guido Guerrieri-t te Trapani, pritet që Thomas Strakosha të qëndrojë te Lazio në rolin e portierit të tretë, ndërkohë edhe blerja më e fundit, Ivan Vargic do të synojë të fitojë vendin e titullarit.

Gjithsesi, mbeten shumë pikëpyetje se cili është portieri i parë i skuadrës italiane. Janarin e kaluar, Federico Marchetti rinovoi kontratën deri në vitin 2018 dhe deri pak javë më parë ai cilësohej i paprekshëm në skuadër.

Por, presidenti Claudio Lotito i ka bërë një premtim Etrit Berishës më 23 Qershor: se Lazio do të besonte te gardiani shqiptar për portën. Kjo ka bërë që skuadra romane të refuzonte edhe ofertat e Aston Villa-s dhe Everton nga Premier League angleze.

Një sinjal i qartë se klubi do ti japë besim Berishës. Drejtuesit e Lazio-s u shprehën se synojnë ta promovojnë kuqeziun, ndërsa kjo lëvizje krijon disa skenarë për të ardhmen e Marchetti-t, për të cilin interes kanë shfaqur Juventusi dhe Sassuolo. Në momentin kur Etrit Berisha dukej portieri që do të largohej, premtimi i drejtuesve ka ndryshuar gjithçka: kuqeziu pritet të jetë titullar te Lazio, ndërsa për Marchetti-n paralajmërohet lamtumira pas pesë sezoneve.