Ky stadium në Kosovë do rinovohet

154

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimit me Komunën e Deçanit, nëpërmjet të cilit, investon 350 mijë euro për Renovimin e Stadiumit të Qytetit të Deçanit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala u shpreh se me këtë memorandum ndihmohet infrastruktura e sportit të Deçanit, dhe njëkohësisht krijohen parakushte për avancimin e mëtejmë të këtij sporti në Kosovë.

Ai më tej u shpreh se investimi në infrastrukturë është tejet i rëndësishëm, sidomos në këtë periudhë vendimtare, kur futbolli i Kosovës është para fazës finale të ndërkombëtarizimit.

Më tej ministri Shala u shpreh se MKRS-ja po punon intensivisht në disa drejtime për të avancuar sportin e Kosovës: në infrastrukturë, në legjislacion dhe në krijimin e lehtësirave financiare për funksionim sa më të pavarur të sportit të Kosovës.

Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj e falënderoi ministrin Shala për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep sportit, dhe u shpreh se me këtë investim kapital për futbollin e Deçanit, krijohen kushte të volitshme dhe moderne për zhvillimin e futbollit në këtë vend.