Ky është shqiptari më i paguar në Serie A

186
Elseid Hysaj është shqiptari më i paguar në Serie A. Mbrojtësi i Napolit përfiton 600 mijë euro në sezon, por me zyrtarizimin e kontratës së re, paga e tij pritet të shkojë në afro 1 milionë e 500 mijë euro.

Pas Hysajt, pozicionohet portieri Etrit Berisha, që pas huazimit nga Lazio te Atalanta do të përfitojë 500 mijë euro në sezon te bergamaskët. Podiumi i shqiptarëve plotësohet nga një tjetër prej protagonistëve të fitores së parë të Kombëtares në kualifikueset e Kupës së Botës përballë Maqedonisë, Ledian Memushaj. Kapiteni i Pescara-s përfiton 400 mijë euro në sezon.

Pas tij pozicionohet një tjetër lojtar i “delfinëve”, sulmuesi Rey Manaj, që me huazimin nga Interi jo vetëm do të ketë më tepër hapësira, por edhe të ardhura më të larta, duke qenë se paguhet 350 mijë euro. Arlind Ajeti vazhdon fazën e rikuperimit dhe pret debutimin zyrtar me Torinon, ku paguhet 300 mijë euro, ndërsa portieri Tomas Strakosha përfiton 100 mijë euro te Lazio.

Sa gjysma e gardianit të talentuar, paguhet një tjetër i ri premtues, Leonardo Maloku. Mbrojtësi i Kombëtares së 19-vjeçarëve paguhet 50 mijë euro te Pescara, ndërsa renditja e shqiptarëve mbyllet provizorisht nga mbrojtësi Frederik Veseli, pagesa e të cilit te Empoli ende nuk është zyrtarizuar.