Kriza politike, Veseli: Do ftojmë opozitën në tryezën e bisedimeve

102

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se shumë shpejtë do të dalë me ofertë konkrete për opozitën për të arritur një marrëveshje për dalje nga kriza politike.

I pyetur për mundësinë e kompromisit me opozitën për zgjedhje të parakohshme, Kadri Veseli, që është edhe kryetari i përkohshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se çdo gjë mund të arrihet përmes dialogut.

“Jemi para një momenti kur shumë shpejtë do të kemi një ftesë shumë serioze, e cila do të jetë një ofertë për opozitën, që të bisedojmë bashkërisht. Ata duhet të marrin rolin e vet. Në të njëjtën kohë ne të gjithë bashkërisht duhet të respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe institucioneve. Pastaj me marrëveshje çdo gjë është arritur”, tha Veseli.

Këto komente, ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendos për seancën e re plenare më 24 mars. Në këtë seancë Veseli tha se do të votohen anëtarët e rinj të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit publik për një periudhë të përkohshme, pasi ai tha se në të ardhmen këtë organ do t’ia japin për menaxhim një kompanie profesionale ndërkombëtare.

Ndërkohë, gjatë ditës qeveria ka emëruar kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të bordit të OSHP-së, ku për postin e kryetarit ka propozuar Blerim Dinën dhe Musa Dragushën.

Ndërsa për anëtarë janë propozuar Nuhi Paçarizi, Vjollca Shala, Ivica Ivanoviç dhe Goran Milenkoviç. Kompletimi i bordit të OSHP-së është njëri prej kritereve për liberalizimin e vizave për kosovarët, ndërkohë që një gjë të tillë Kuvendi nuk e votoi gjatë seancës së fundit./Top Channel/