Krasniqi paralajmëron skuadrat e radhës që luajnë ndaj Besës

708
Leutrim Krasniqi, kryetrajner i Besës

Besa ka pësuar në kuadër të xhiros së 28-të ndaj Ballkanit me rezultat 4-1, shkruan Gazetasheshi.com.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit, trajneri i kësaj skuadre, Leutrim Krasniqi, ka mbetur i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij dhe ka paralajmëruar skuadrat tjera të Superligës.

“Shpenzuam shumë energji në pjesën e parë të lojës, pasi që vendosëm t’i bënim presion lartë skuadrës së Ballkanit, e cila rezultoi suksesshëm. Lëndimet në pjesën e dytë dhe golat nga ndërprerjet na ç’ekuilibruan në pjesën e dytë, por duhet theksuar se jam i kënaqur me angazhimin”, deklaroi fillimisht Krasniqi.

Ai më pas foli gjithashtu edhe për vazhdimin e kampionatit, derisa paralajmëroi skuadrat e tjera të Superligës.

“Jemi duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës ndaj Drenicës dhe nuk jemi duke menduar për sezonin e ardhshëm. Kemi tetë ndeshje për t’i zhvilluar dhe siç e kam thënë edhe më herët ne do të luajmë në çdo ndeshje për ta dhënë maksimumin”, përfundoi Krasniqi.

Pejanët kanë ngelur në pozitën e fundit të renditjes tabelare me 10 pikë.

Në xhiron e radhës skuadra e Besës do të përballet me Drenicën.

/Gazeta Sheshi/