Kosovaret kane paguar mbi 100 milione euro te banoreve te pjeses veriore

142

Ka shumë qytetarë që mundohen ekstremisht të kursejnë energjinë elektrike sepse janë pagues të rregullt.

Por, nga paslufta, të gjithë ata që kanë paguar energjinë elektrike, e kanë paguar edhe faturën e shpenzimeve të energjisë të serbëve të veriut të Kosovës, raporton KTV.

Kjo për faktin se nga paslufta, institucionet përgjegjëse për lexim dhe faturim të energjisë nuk kanë pasur qasje në atë pjesë. Vlera e borxheve të tyre ka tejkaluar 100 milionë euro.

Një njoftim të tillë nuk e marrin asnjëherë konsumatorët, por kjo vërehet sa herë që operatorët e energjisë aplikojnë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Këto borxhe e pagesa futen në pjesën e humbjeve komerciale.

KEDS-i, në përgjigjen e shkurtër, ka thënë se operimin në veri e ka trashëguar nga KEK-u dhe që formati po vazhdon të jetë i njëjti. Sipas tyre, kjo nuk është çështje komerciale, por politike.

Në aplikimin e këtij viti për lejimin e të hyrave, KEDS-i ka sqaruar se humbjet në Veri janë parashikuar si megavat dhe jo si përqindje, ngase edhe humbjet në Veri janë jashtë kontrollit të Operatorit të Sistemit dhe Shpërndarjes.

Sipas të dhënave të prezantuara të KEDS-it, asaj i duhen 4 milionë euro për shpenzimet operative, që kanë të bëjnë me rregullimin e konsumatorëve në veri të lumit Ibër, ku konsumi i energjisë brenda një viti është 243 gigavatë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, duke u thirrur në problemin politik të asaj pjese, e ka arsyetuar këtë veprim. Të njëjtat probleme ndodhën edhe në pjesë tjera të vendit disa vjet pas luftës, ku serbët nuk pranonin të paguanin energjinë e shpenzuar.