Kosova në UEFA dhe FIFA? Ja skenarët e mundshëm më 3 maj

132

Kongresi i ardhshëm i UEFA-s që do të mbahet më 3 maj në Budapest pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e Federatës së Futbollit të Kosovës për të qenë anëtare me të drejta të plota në organizatat botërore.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke folur për ‘Radion Evropa e Lirë’, vlerëson se sinjalet për një pranim të mundshëm të Kosovës në organizatën evropiane të futbollit janë mjaft pozitive.

Siç thotë ai, barriera ligjore, e cila nënkupton një nen të statutit të UEFA-s, i cili parasheh që vendi që aplikon për tu anëtarësuar duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në rastin e Kosovës është anashkaluar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Tashmë, sipas tij, më 3 maj, në Konferencën e UEFA-s pritet që çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë të hidhet në votim.

“Në këtë kongres do të votohet dhe neve na duhet një shumicë e thjeshtë. Prej 54 votave na duhen 28 vota ‘për’. Shpresoj që ne do t’i bëjmë ato, sepse edhe në atë drejtim kemi punuar mjaft, pareshtur ndër vite e sidomos tash, në këto dy vjetët e fundit që kanë qenë edhe më intensive”.

Megjithatë, anëtarësimi në UEFA, sipas Vokrrit mbetet sfida kryesore, e cila nëse kalohet lehtëson rrugën në anëtarësimin e futbollit të Kosovës në Federatën ndërkombëtare të Futbollit – FIFA.

Kjo e fundit, do ta mbajë konferencën e saj të radhës në Meksikë, me 12 dhe 13 maj të këtij viti, ku do të shqyrtohet edhe pranimi i Kosovës në këtë organizatë,-thekson Vokrri.

“Nëse kalojmë me 3 maj (në UEFA), sigurisht që edhe me 13 maj do të kemi më pak probleme duke marrë parasysh që statuti i FIFA-s nuk e parasheh (anëtarësimin në) Kombet e Bashkuara dhe pengesa ligjore”,-ka thënë Vokrri për “Radio Evropa e Lirë”.