Kosova me masa reciprociteti ndaj Serbisë për eksportuesit e naftës

124

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se tashmë janë vendosur masat e reciprocitetit, sa i përket eksportuesve të Serbisë, të cilët në Kosovë eksportojnë derivate të naftës.

Bajrami tha se kjo masë reciprociteti ndaj Republikës së Serbisë, vjen pas shterimit të të gjitha alternativave tjera, që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje.

Bajrami po ashtu i bëri thirrje autoriteteve serbe, që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Ndryshe, që nga data 28 gusht 2015, kompanitë kosovare importuese që merren me importin e derivateve të naftës nga Serbia, janë ballafaquar me barriera tregtare të vazhdueshme, të vendosura nga autoritetet e Serbisë, duke mos u njohur atyre certifikatat e ADR-së, për automjet dhe shofer të lëshuara nga autoritete e Kosovës dhe Maqedonisë./KosovaPress/