Kosova ende nuk është pjesë e OBT-së, edhe pas tetë vjetesh shtet

126

Kosova edhe pas 8 vjet shtet ende nuk ka arrit që të anëtarësohet në Organizatën Botërore për Tregti (OBT), ndonëse shteti ynë në shumicën e institucioneve financiare ndërkombëtare është bërë anëtare me të drejta të plota. Rëndësia e anëtarësimit në OBT është mjaft e madhe dhe e domosdoshme, meqë Kosova ka një deficit të lartë tregtar. Ka pasur premtime të mëdha nga qeveritë e kaluara dhe kjo e fundit se anëtarësimi në këtë organizatë botërore do të ndodhë shpejt, por kjo nuk po ndodhë.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë për KosovaPress se anëtarësimi në OBT duhet të kërkoj angazhim më të madh për shkak që është një organizatë më gjigante sesa CEFTA dhe MSA -ja.

OBT-ja sipas tyre do të ndihmonte edhe në shtimin e vëllimit të shkëmbimeve tregtare gjë që ndihmon liberalizimin e mëtejmë të tregtisë.

Udhëheqësja e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Sytrime Dervisholli për KosovaPress thotë se MTI ka hartuar draftin e parë të memorandumit mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme, ku së shpejti pritet edhe finalizimi i tij.

Ky dokument, sipas saj është si hapi fillestar për anëtarësim në OBT dhe pasqyron politikat ekonomike dhe tregtare të Kosovës. Dervisholli beson se anëtarësimi në OBT do të ndodhë në këtë vit.

Ajo më tej shtoi se Qeveritë e kaluara sigurisht se kanë pasur agjendat e tyre, por Dervisholli beson se OBT-së i ka ardhur fundi të trajtohet seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe këtë është duke e bërë MTI, respektivisht departamenti i Tregtisë që është përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjeve tregtare.

Rëndësia e kësaj organizate për Dervishollin është integrimi i Kosovës në tregtinë globale dhe harmonizimi i standardeve, kritereve dhe procedurave me ato të OBT-së. Po ashtu, anëtarësimi në OBT, ndihmon liberalizimin sa më të thellë dhe të gjerë të shkëmbimeve tregtare që qojnë në një konkurrencë të fortë dhe të ndershme.

Ajo tha se Kosova qe sa vite vuan nga një deficit tregtar, prandaj Organizata Botërore e Tregtisë do të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.

Nënkryetarja e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj për KosovaPress mendon se mos anëtarësimi në OBT është një e metë e shtetit tonë, sepse sipas saj, Kosova duhet të bëjë përpjekje më të mëdha dhe më të fuqishme që të jetë edhe pjesë e kësaj organizate botërore.

Për zvarritjen e anëtarësimit në OBT, deputetja e Kuvendit të Kosovës thotë se institucionet e Kosovës janë të penguara të marrin vendime, me veprimet të cilat po bëhen sidomos nga ana e opozitës. Kjo sipas saj ka ngecë në vend funksionimi institucional. Po ashtu, ajo tha se me këto ngecje po jepen mesazhe negative te ndërkombëtarët që të ecet me hapa pozitiv në drejtim organizatave, mekanizmave të ndryshëm institucional dhe të vendeve të ndryshme ndërkombëtare.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se Kosova do të ketë disa përparësi në anëtarësimin e saj në OBT, por që anëtarësimi i jep Kosovës edhe përgjegjësi. Sa i përket anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, ndoshta përparësia dhe e mira që do të përfitonte Kosova është se do të bëhet pjesë e një grupi shumë të madh të vendeve me të cilat mund të inkuadrohet në garën për relacionet tregtare globale. Mirëpo është edhe një çështje tjetër që mund të paraqitet edhe si përgjegjësi dhe detyrim i Kosovës, respektimi i kritereve dhe standardeve mbi të cilat bazohet në raporte dhe zhvillimi i relacioneve në tregtinë globale./KosovaPress/