Kosova e pret Kroacinë në Mitrovicë

216

Më 3 maj do të votohet pranimi i futbollit kosovar dhe në rast të një lajmi historik, Kosova automatikisht do të merrte pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror, “Rusia 2018” në kuadër të Grupit I.

Megjithatë, gëzimi i madh që me gjasë do të ndodhë, nuk do të jetë i gjatë, pasi sfidë e madhe mbetet infrastruktura.

Njëri nga stadiumet, ai i Prishtinës apo i Trepçës në Mitrovicë mund t’iu bëjë ‘konak’ përfaqësueseve tjera, por duhet të investohen miliona për të përmirësuar gjendjen e tyre.

Për gjendjen jo të mirë të tyre konstatoi edhe delegacioni i lartë i UEFA-s e FIFA-s që vizitoi Kosovën para një jave.

Megjithatë, aty duhet të punohet shumë, pasi stadiumi kombëtar i planifikuar të ndërtohet në Bërnicë është larg të jetësohet, pasi deri më tani komisioni përkatës ishte përcaktuar vetëm për parcelën ku do të ngrihet ky gjigant.

Gjithsesi, FFK ka menduar për këtë dhe zëdhënësi i saj, Fazli Berisha beson se stadiumi “Adem Jashari” do të jetë gati për ndeshjet kualifikuese.

Kësisoj, Përfaqësuesja e parë që do të vinte në Kosovë është Kroacia më 8 tetor të këtij viti.

“FFK ka marrë zotime se do të investohet në Mitrovicë dhe ndeshjet kualifikuese do t’i luajmë aty duke filluar nga Kroacia, gjithnjë nëse marrim lajme të mira nga UEFA e që për këtë jemi duke punuar me intensitet të lartë”, pohoi Berisha për InfoPress.

Sa i përket stadiumit kombëtar, Berisha pohon se Qeveria duhet të kuptojë situatën dhe të përshpejtojë procedurat, pasi Kosova ka nevojë për një impiant modern.