Kosova do të befasojë

421

Albert Bunjaki po i shijon ditët e fundit si përzgjedhës i një Përfaqësueseje të papranuar ndërkombëtarisht.

UEFA në kongresin e rregullt që do të mbahet më 3 maj në Budapest do të votojë pranimin e Kosovës dhe përzgjedhësi i saj do ta kishte më të lehtë punën, pasi deri më tash ka hasur në shumë vështirësi pikërisht për shkak të izolimit.

Në një intervistë për Gazetën Sheshi, Bunjaki ka zbuluar shumë gjëra lidhur me Përfaqësuesen e Kosovës.

Data 3 maj po vjen, datë kjo kur edhe do të votohet pranimi i Kosovës në UEFA. Keni shpresa se mund të ndodhë lajmi historik?

Bunjaki: Në cilësinë e shefit të shtabit nuk guxoj të mendoj diçka tjetër përveç pranimit dhe ne po punojmë në atë drejtim. Madje, prej ditës së parë jemi sjell sikur të ishim të pranuar. Për neve nuk ndryshojnë shumë gjërat përveç aspektit administrativ, pasi e dimë me kohë se me kë do të luajmë.

Mbi të gjitha, pranimi është e drejt njerëzore që na takon. Gjithsesi, fjalët dhe shpresat janë se ne do të pranohemi, të shohim.

Pranimi do të thoshte edhe pjesëmarrje në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Sa është e përgatitur Kosova për kundërshtarë të fortë?

Bunjaki: Tash për tash, Kosova është e përgatitur për të filluar Kampionatin Botëror. Madje, qysh në shtator të vitit 2015 kemi filluar përgatitjet, edhe pse nuk e dimë se me kë do të luajmë, por pretendohet se mund të jemi pjesë e Grupit I

Në Grupin I janë kundërshtarët si Kroacia, Finlanda, Turqia, Ukraina e Islanda. I keni analizuar ndeshjet e tyre?

Bunjaki: Realisht, ky është grupi më i vështirë i mundshëm. Katër prej këtyre pesë skuadrave janë pjesë e Kampionatit Evropian që do të mbahet në Francë. Imagjinoni se sa kundërshtarë të vështirë janë.

Nga ana tjetër, përgatitjet nuk janë optimale, sepse ende një pjesë të lojtarëve nuk mundemi ti prek pa përfunduar kampionatet nacionale.

Gjithnjë nëse ndodh pranimi, cilat janë gjasat për ta kaluar grupin?

Bunjaki: Është shumë vështirë. Kemi të bëjmë me kundërshtarë që janë në krye të ranglistës botërore. Nëse Finlanda merret si kundërshtari më i lehtë i grupit, atëherë është shteti numër 42 në botë. Realisht, po pretendohet se ne jemi në Grupin I, por Botërorit po i hyjmë pa e ditur 100 për qind se cilët janë kundërshtarët tanë. Gjithsesi, Botërori është i mirëseardhur për ne.

 

Albert, me një fjalë cili është objektivi juaj në kualifikimet për Botëror?

Bunjaki: Objektiv i joni është që ta kemi një Botëror të mirë e si rezultat i kësaj në Evropian të kemi mundësi të kalojmë grupin edhe pse nuk do të thotë se nuk mund të befasojmë edhe në Botëror.

Mediet belge raportuan se Adnan Januzaj mund t’i bashkohet Kosovës. Si është situata me futbollistët tjerë, a do të vijnë të luajë për Kosovën ndonjë emër që ende nuk ishte pjesë e Përfaqësueses sonë?

Bunjaki: Për ne e rëndësishme ka qenë krijimi i një baze dhe kjo është arritura. Tashmë duhet të rritet konkurrenca. Normalisht, jemi në bisedime me disa lojtarë. Të shohim se çka do të ndodhë pas pranimit. Por, një gjë që duhet përmendur ka të bëjë me atë se është e drejt ekskluzive e secilit lojtar që të vendos nëse do të luajë për Kosovën ose jo. As unë e as FFK nuk mund t’ia mohojmë ndokujt Përfaqësuesen tonë. Unë mund t’ia ndaloj ndokujt vetëm në aspektin sportiv, përndryshe dyert janë të hapura për të gjithë futbollistët që duan t’i bashkohen Kosovës.

Planifikoni ndonjë miqësore para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin në Rusi që fillojnë në shtator?

Bunjaki: Në qershor pritet të ketë lojë dhe kjo është e fundit para kualifikimeve. Ky është një ekskluzivitet që duhet t’i përshtatemi, pasi FFK e ka të vështirë të gjejë kundërshtarë për faktin se ekipet që luajnë kundër nesh nuk marrin pikë në ranglistë. Andaj, unë i jam falënderues FFK-së për çfarëdo ekipi që na siguron për miqësore.

Në vazhdimësi e ndiqni futbollin kosovar, cilat janë përshtypjet tuaja?

Bunajki: Futbollin kosovar e përcjell, e njoh me rrënjë siç thotë populli, i di proceset. Kanë dalë talentë, mirëpo kjo fjalë talent më nuk ekziston, ajo është shumë e rrezikshme. Më shumë e kisha përdor lojtarë që kanë pasion për futboll. Nga futbolli kosovar kanë dalë emra, por nëse e krahasojmë me regjionin jemi ende larg. E kemi Milotin, Etritin, Debatikun, Armendin, por numri nuk është i kënaqshëm, duhet të kemi më shumë. Mirëpo, pas pranimit hyjmë në sistem dhe pas kësaj është mënyra më e mirë e edukimit, por për zhvillimin e talentëve është e nevojshme një program nëpër klubet e futbollit, të cilin unë e kam propozuar vite më parë e që quhet “Tips Elite”. Por, pas pranimit ndërkombëtar, është kriter i UEFA-s që deshëm e s’deshëm duhet aplikuar, pasi kjo shërben për licencimin e akademive.