Kimmich zbulon të vërtetën: Ja pse më bërtiti Guardiola

148

Pas barazimit pa gola në Dortmund, Pep Guardiola iu vërsul si shigjetë të riut Joshua Kimmich duke e shkundur dhe tronditur atë psikologjikisht para 80 mijë spektatorëve dhe miliona telespektatorëve. Tri ditë pas klasikes së Gjermanisë ka folur për “Kicker” talenti Joshua Kimmich rreth debatit verbal të trajnerit spanjoll, transmeton Panorama Sport.

Kimmich, Guardiola u duk i nervozuar në fund të takimit. Përse ju kritikoi dhe ju foli aq ashpër?

Ishte çështje taktike. Pasi Xab Alonso u zëvendësua në fund nga Benatia, unë duhej të merrja përsipër pozicionin e tij në mesfushën defensive. Sipas idesë së trajnerit, unë duhej të qëndroja më i tërhequr, por bëra disa gabime në këtë lloj taktike.

U mërzitët nga ai reagim?

Jo, unë e njoh temperamentin e tij. Ishte një reagim emocional. Nuk ishte problem për mua.

Ju pëlqen të luani në qendërmbrojtje apo në mesfushë?

Unë jam i lumtur të jem pjesë e ekipit në fushë. Pak rëndësi ka pozicioni. Kam fituar shumë nga eksperienca në fillim. Kam punuar fort dhe pritur momentin. Askush nuk qëndron në stol me dëshirë, pasi të gjithë duan të luajnë. Unë ndihem i privilegjuar që trajneri më beson. Plus dua t’i falënderoj edhe kolegët që më mbështesin dhe shtojnë besimin. Si qendërmbrojtës rrezikohesh më shumë nëse gabon. Ndërsa kur gabon në mesfushën defensive nuk ndëshkohesh dot direkt. Shanset janë më të pakta në krahasim me mbrojtjen.