KFOR-i vigjilent, por thotë se nuk ka mandat për aksione kundër-terrorizëm

125

Pas sulmeve terroriste të ndodhura në Bruksel, ku të vdekur mbetën 32 persona dhe qindra të lënduar, forcat e Aleancës së NATO-s në Kosovë, KFOR, thonë se janë vigjilent ndaj kërcënimeve nga sulmet terroriste, edhe pse në një përgjigje për KosovaPress, Zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it në Kosovë, thotë se kryerja e aksioneve kundër-terrorizëm nuk është në kompetencat dhe mandatin e KFOR-it.

Forcat e KFOR-it vazhdojnë të veprojnë paanësisht dhe profesionalisht për të mundësuar një ambient të qetë dhe të sigurt në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it, derisa familjarëve të viktimave të sulmeve terroriste në Bruksel u shprehin ngushëllime të sinqerta.

Më poshtë ju sjellim përgjigjen e plotë të KFOR-it për KosovaPress-in:

KFOR-i është duke vazhduar aktivitetin e rregullt ushtarak dhe i qëndron prapa mandatit të tij. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë paanësisht dhe profesionalisht si përgjegjësi i tretë pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it përmes një qasjeje gjithpërfshirëse sipas dinamikave të zonave.

Në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, KFOR-i mundëson një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe garanton lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kryerja e aksioneve kundër-terrorizëm nuk është e autorizuar bazuar në mandatin të KFOR-it. Megjithatë, KFOR-i mbetet i informuar dhe vigjilent rreth këtij kërcënimi me të gjitha mjetet dhe kapacitetet.

KFOR-i fuqimisht dënon këto sulme dhe shpreh ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave në sulmet e Brukselit. /KosovaPress/