KB Ylli finalisti i parë, eliminon Rahovecin

116

Golden Eagle Ylli ka siguruar plasmanin në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Ylli ka triumfuar ndaj skuadrës së Rahovecit me shifrat 85:72.

Me këtë fitore, Ylli është kualifikuar në finale me rezultatin e përgjithëm 3:2 ndaj Rahovecit në serinë gjysmëfinale. Elyjah Clark e Erjon Kastrati ishin më të dalluarit te skuadra e Yllit në këtë fitore të rëndësishme. Clark ndeshjen e mbylli me 28 pikë derisa Kastrati shtoi edhe 24 sosh. Me lojë të mirë te Ylli, u veçuan edhe Demetris Morant e Valon Bunjaku që realizuan nga 12 pikë për kokë.

Në anën tjetër, te Rahoveci u veçuan Darrell Davis me 29 pikë të shënuara, i përcjellë nga Ed Daniel (21) e Alban Veseli (13) që ishin të vetmit me pikë dyshifrore. Për Yllin, kjo është hera e parë që kualifikohet në finale të plejofit derisa është në pritje të vendimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës në lidhje me gjysmëfinalen tjetër ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës që u ndërpre pas përleshjes masive që ndodhi në fund të pjesës së parë.