Kanuni është ende gjallë: Futbollistët shqiptarë ngujohen nga gjakmarrja

196

Një histori vërtetë e rëndë dhe e shëmtuar për Shqipërinë e vitit 2016. Dy futbollistë të rinj, Stivi dhe Uendi Vecaj, djem xhaxhallarësh mes tyre, nuk do të jenë në gjendje të luajnë të shtunën për Vllazninë dhe Adën, transmeton medium shqiptar TeleSport.

Arsyeja është se një kushëri i tyre, pesë ditë më parë ka vrarë një njeri. Historia e gjakmarrjes, rregullat e Kanunit, i detyrojnë edhe ata të ngujohen. Për këtë arsye, prej tre ditësh, Stivi Vecaj nuk është paraqitur në stërvitje me ekipin e Adës. Prandaj, nuk do të jetë as nesër i gatshëm për të luajtur në ndeshjen shumë të rëndësishme të këtij ekipi ndaj Kamzës.

Kjo është mungesë e cila ndikon në lojën e velipojakëve, sepse për trajnerin Krepi, ky futbollist është një nga pikat më të forta të formacionit të tij. Nga ana tjetër, e njëjta histori është përcjellë edhe tek një pjesëtar tjetër i këtij fisi. Uendi Vecaj është një nga lojtarët e rinj më të talentuar të Akademisë së Vllaznisë dhe jo më kot drejtuesit e klubit, në muajin janar kanë firmosur një kontratë me të.

Madje, trajneri Cungu ka dashur ta përfshijë në 18-she për ndeshjen e nesërme ndaj Laçit, por për fat të keq edhe ai duhet të ngujohet. Një histori e tmerrshme, por ky është realiteti.

Më datë 21 janar, Ndokë Vecaj, 76 vjeç, ka qëlluar me armë gjahu një shtetas 52-vjeçar, që kishte hyrë në orën 02:00 të natës brenda rrethimit të shtëpisë së tij, duke e vrarë atë. Ky i fundit rezulton të ketë qenë një person me probleme të shëndetit mendor, megjithatë, tashmë, përveç autorit të këtij krimi, që është i arrestuar, duhet të vuajnë të gjithë pjesëtarët e fisit “Vecaj”, sipas rregullit të gjakmarrjes.

Ata janë të ngujuar tashmë dhe dy futbollistët, Stivi dhe Uendi Vecaj, pikërisht për këtë arsye, nesër nuk do të jenë të gatshëm për të luajtur me Adën dhe Vllazninë. Ky është një fenomen shumë absurd, por realiteti i kohës që po jetojmë është i tillë.