Juventusi përgatit festën më 25 prill dhe bën tifo për Romën

184

Kur mungojnë gjashtë javë nga fundi i kampionatit, midis të cilave 4 ndeshje në shtëpi dhe një avantazh prej 6 pikësh karshi Napolit, në shtëpinë e Juventusit ka nisur numërimi i ditëve për festën e titullit.

Me përjashtim të ngjarjeve të jashtëzakonshme, ekipi i Masimiliano Alegrit mund të festojë titullin më datë 25 prill.

Alegri e ka përsëritur në të gjitha daljet e tij: “76 pikë nuk mjaftojnë”. Ka të drejtë, nuk ka dyshim: nëse Juventusi do t’i humbiste të gjitha ndeshjet deri në fund, titulli i pestë radhazi do të ishte praktikisht i pamundur për t’u fituar.

Por, nëse lëmë mënjanë matematikën, ajo që duket më e pamundur është që bardhezinjtë ta humbin këtë kampionat: sepse kanë një avantazh prej 6 pikësh me Napolin, kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje nga fundi dhe sepse, pa harruar se bardhezinjtë kanë fituar 21 nga 22 ndeshjet e fundit (duke barazuar vetëm në fushën e Bolonjës), kalendari është kundër të kaltërve.

Një javë për t’u stërvitur dhe më pas tri ndeshje në shtatë ditë me një takim që do të zhvillohet në mesjavë: në fund të këtij minicikli, që do të mbyllet me Fiorentina-Juventus dhe Roma-Napoli, Juvja mund të hapë shampanjën ose të bëjë rezervimin e lokalit ku do të zhvillojë festën për titullin.

Fiorentina, që nuk fiton një ndeshje nga 21 shkurti, është më pak e frikshme se Roma, megjithatë përfaqëson pengesën e fundit të vërtetë në marshimin drejt titullit të bardhezinjve, që do të luajnë 4 ndeshje nga 6 në shtëpi, kundër Palermos, Lacios, Karpit dhe Sampdorias, ndërsa transferta tjetër, përveç asaj kundër ekipit vjollcë, do të jetë në Verona, që historikisht ka qenë vendimtare në luftën për titull në kampionatin italian, por jo për “Zonjën e Vjetër”.

Kalendari i Juventusit 17 PRILL
Juventus – Palermo 15:00
20 PRILL
Juventus – Lacio 20:45
24 PRILL
Fiorentina – Juventus 20:45
1 MAJ
Juventus – Karpi 12:30
8 MAJ
Verona – Juventus 20:45
15 MAJ
Juventus – Sampdoria 15:00

Kalendari i Napolit 16 PRILL
Inter – Napoli 20:45
19 PRILL
Napoli – Bolonja 20:45
25 PRILL
Roma – Napoli 15:00
2 MAJ
Napoli – Atalanta 21:00
8 MAJ
Torino – Napoli 20:45
15 MAJ
Napoli – Frozinone 15:00