Jesus: “Më pëlqejnë makaronat, Lucio idhulli im, Samuel më i forti”

147

Mbrojtësi i Interit, Juan Jesus, ka komunikuar me tifozët zikaltër dhe ka shuar kuriozitetin e tyre për tema të ndryshme.

Braziliani ka thënë opinionin e tij mbi objektivin e skuadrës dhe thotë se do të luftojnë deri në fund, pavarësisht se duket e vështirë. Numri pesë i Interit tregon raportin me teknikun Mançini, por edhe me disa prej futbollistëve zikaltër.

Jesus ka besim se Interi do të shkojë në Ligën e Kampioneve, edhe pse diçka e tillë është shumë e vështirë.

“Do të provojmë me çdo forcë. Ne treguam në ndeshjen me Juventusin se askush nuk mund të na thyejë po u mobilizuam”, thotë mes të tjerash braziliani.

Makaronat

“Përpara se të luaj ha gjithmonë makarona dhe pulë, kështu jam i lehtë dhe gati për të luajtur”.

Roma

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por shumë e hapur. Nuk e di nëse do të luaj, por do të jenë në fushë ata që janë më mirë”.

Champions

“Do të provojmë deri në fund, edhe pse është shumë e vështirë. Matematika na lejon ende të jemi në lojë. Do të bëjmë gjithçka për vendin e tretë”.

E ardhmja

“Mund të qëndroj përjetësisht tek Interi, por kjo gjë nuk varet nga unë. Nëse klubi do, jam i gatshëm”.

Idhulli

“Kur isha i vogël më pëlqente Lucio”. Roli – “E rëndësishme është ta ndihmoj skuadrën, nuk ka rëndësi ku luaj”.

Videolojërat

“Nuk luaj më FIFA, tani luaj një lojë me luftë”.

Nagatomo

“Është njeri i madh, i qetë dhe gjithmonë në formë. Përpara stërvitjeve bën joga dhe vjen i pari në ‘Pinetina’. Duket i çmendur”.

Brazili

“Nuk më mungon asgjë, për më tepër në këto momente politika e ka komplikuar shumë jetën. Më mirë të jesh larg Brazilit”.

Mbrojtësi

“Më i miri nga të gjithë është Valter Samuel”.

Sulmuesi

“Për momentin, Higuain. Shënon gjithmonë dhe është shumë i vështirë për t’u markuar”.

Perisic

“Unë e quaj Cristiano Perisic. Është shumë i fortë, një lojtar i madh”.

Kundërshtari

“Fusha më e vështirë për të luajtur është ‘Juventus Stadium’. Për Juventusin është një armë më shumë”.

Ibrahimovic

“Ka fituar gjithçka dhe kudo ku ka luajtur. Është shumë i fortë”.

Mourinho

“Një trajner i madh”.

Titulli

“Është shumë e vështirë, por shpresoj ta fitojë Napoli”.

Numri një

“Për mua, më i madhi i historisë së futbollit është Pele, pavarësisht se argjentinasit do të zemërohen me mua. Shpresoj që Nejmar të bëhet më i mirë se ai”.

Goli

“Nëse do të shënoj, do t’ia dedikoj golin vetes sime, sepse nuk e kam provuar ende këtë emocion”.

Kapiteni

“E kam mbajtur disa herë shiritin e kapitenit dhe për mua ka qenë një nder i madh. Kapitenin e kanë bërë kampionët si Zaneti, Cambiaso, Cordoba dhe Facheti”.

Dhoma e zhveshjes

“Është ftohtë këtu… (qesh). Jemi të gjithë të përqendruar për ndeshjen me Romën. Do të jetë e vështirë, por jemi duke u përgatitur maksimalisht”.

Miranda

“Mund të mësoj shumë gjëra prej tij. Ka eksperiencë dhe kualitet”.

Handanoviç

“Është një portier i madh, një profesionist i vërtetë. Shumë i vendosur dhe me meritë është një nga portierët më të mirë në botë”.

Zaneti

“Një nga personat më të rëndësishëm tek Interi. Për të mund të them vetëm fjalë të mira, sepse punon gjithmonë në qetësi. Ka qenë një profesionist i vërtetë dhe mund të mësoje shumë gjëra prej Pupit”.

Kupa e Italisë

“Fitorja kundër Juventusit ishte e bukur, por nuk arritëm të shkonim në finale. Ky ishte mëkat. Megjithatë treguam se, në rast se ne përqendrohemi, nuk mundemi lehtësisht. Shpresojmë që ky moment pozitiv të vazhdojë për shumë kohë dhe në këtë mënyrë mund ta mbyllim sezonin duke arritur objektivin”.

Jovetic

“Është një lojtar me shumë talent dhe shpresoj të rikthehet sa më shpejt për të na ndihmuar. Kemi shumë nevojë për të”.

Eder

“Shpresoj që të shënojë sa më shpejt. Ai stërvitet shumë dhe është një djalë i shkëlqyer. Meriton më të mirat. Kam bindjen se, nëse vazhdon të luajë në këtë mënyrë, goli do të vijë shumë shpejt për të”.

Mancini

“Kam raport të shkëlqyer me të. Është i qetë dhe kërkon gjithmonë të na mësojë diçka të re. Jemi me të në këtë rrugë që kemi nisur. Të gjithë lojtarët kanë raport të mirë me trajnerin, sepse ai ka shumë eksperiencë dhe di shumë mirë si të përballet me momentet e vështira”.

Kujtimet

“Mendoj se sezoni 2012-2013 ka qenë më i miri. Jam aktivizuar shumë dhe kam bërë shumë gjëra të mira, shpresoj që në të ardhmen të bëj të njëjtën gjë”.

/Panorama Sport/