“Jam 100% i lumtur, s’më duhen emrat e famshëm”

189

Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp insiston se për atë nuk është nevoja për emra të mëdhenj, në vigjilje të sezonit të ri të Premier League. Gjermani ka përforcur ekipin e tij me Sadio Mane, Joel Matip dhe Loris Karius, ndërkohë që priten edhe afrime të tjera, para fillimit të sezonit të ri. Klopp deklaroi se ai nuk ka në planet e tij që të ndjekë futbollistë vetëm bazuar në statusin e tyre. Përkundrazi, ai synon që të fokusohet te ata lojtarë që vërtetë kanë qenë më të mirët për ekipet e tyre, në përgjithësi.

“Nëse ne vihemi në ndjekje të lojtarëve me emër, diçka që nuk ka gjasa ta bëj, nuk do të kishte aspak kuptim. Duhet të kërkojmë për futbollistë të cilët mundemi t’i marrim dhe të bëjmë maksimumin me ata. Jam 100% i lumtur me lojtarët që kemi afruar deri tani në ekip. Në këtë periudhë të çdo viti është momenti kur ka shumë pritshmëri. Çdokush pret emra të mëdhenj dhe një përmirësim të ndjeshëm për shkak të emrave të mëdhenj, dhe nëse këta lojtarë nuk janë të njohur, atëherë të gjithë mendojnë: “Çfarë po bëjmë kështu? Çfarë po bëjnë ata?”. Askush nuk mendon për paraqitjet e mira që bëmë sezonin e fundit. Ata mendojnë vetëm për United ose Cityn që kanë marrë atë lojtarë, ndërsa ne kemi marrë… si quhet ai futbollist?!. Në fakt, për mua dhe për ne qëllimi i vërtetë është të krijojmë dhe të ndërtojmë një ekip për sezonin e ardhshëm”, deklaroi trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp.