ISIS, vritet “ministri i financave” të kalifatit

159

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vrasjen e një numri të madh militantësh e figurash të larta të Shtetit Islamik gjatë javës së kaluar, përfshi këtu atë që konsiderohej si “i dyti në komandë”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter tha se, vdekjet e Abdul Rahman Mustafa al-Qaduli dhe anëtarëve të tjerë të “kabinetit” të grupit xhihadist, do t’i vështirësojë operacionet e ardhshme të tyre. Megjithatë, Ash Carter nuk dha detaje të tjera mbi mënyrën sesi vdiq Qaduli, i njohur ndryshe në Irak me emrin Hajji Iman.

Gjithsesi, “NBC News” ka raportuar më herët se ai është vrarë gjatë një mësymjeje të forcave speciale amerikane në Siri, mëngjesin e së enjtes. Zyrtarë të mbrojtjes thanë gjithashtu se trupat zbritën në terren me helikopterë dhe i zunë pritë Qadulit, i cili kaloi pranë tyre me makinë.

Kjo ishte një përpjekje për ta zënë Qadulin rob të gjallë, por situata u përkeqësua, ndaj dhe militanti i lartë dhe 3 persona të tjerë në automjetin e tij mbetën të vdekur, shtuan zyrtarët. Autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 7 milionë dollarësh për cilindo që do të ofronte informacione mbi vendndodhjen e Qadulit.

Duke përdorur akronimin e parë të Shtetit Islamik, ISIL (Shteti Islamik në Irak dhe Levant), Carter tha gjatë konferencës për shtyp të së premtes në Uashington se “ne jemi duke i eliminuar sistematikisht anëtarët e kabinetit të ISIL”.

Ai e përshkroi Qadulin si një “udhëheqës i lartë”, i cili ka shërbyer si ministër i Financave, e që gjithashtu ka qenë përgjegjës për “Çështjet e Jashtme dhe Komplotet”.

Turkmeni është lindur në 1957-n apo 1959-n në qytetin verior të Irakut, Mosul, i cili është nën kontrollin e ISIS-it prej vitit 2014, sipas SHBA-ve. Ai iu bashkua al-Qaeda-s në Irak (AQI), një organizatë pararendëse e ISIS-it, në vitin 2004 nën drejtimin e drejtuesit të vdekur tashmë Abu Musab al-Zarqaëi, duke shërbyer në rolin e zëvendësit të tij dhe udhëheqësit në Mosul. Pas lirimit të tij nga një burg i Irakut në fillim të vitit 2012, ai iu bashkua forcave të ISIS në Siri.