Ish-gjyqtari i njohur komenton nivelin e referimit në Kosovë

427

Niveli i referimit në futbollin e Kosovë, në të gjitha rangjet, ka qenë i kritikuar në masë të madhe në vitet e fundit, duke e përfshirë edhe këtë edicion.

Nuk kalon një xhiro e vetme ku ndonjë klub i Kosovës nuk ankohet për referim, duke lansuar akuza nga më të ndryshmet ndaj gjyqtarëve përkatës.

Madje, në vitet e kalara, ka pasur akuza edhe të llojit se ndeshjet kruciale janë vendosur “me gjyqtarë”, por që këto gjëra mbeten vetëm spekulime pa u vërtetuar e kundërta nga organet kompetente.

Për ta komentuar nivelin e referimit, FrontOnline ka kontaktuar me ish-futbollistin dhe ish-gjyqtarin, Mustafë Domi.

Domi që ishte gjyqtar i futbollit nga viti 1997 deri në vitin 2008, fillimisht ka thënë se referimi i sotëm është më i mirë se që ka qenë më herët, me disa përjashtime të vogla.

“Marrë në përgjithësi, referimi është më i mirë se që ka qenë. Por, tash ka individ të caktuar që gabojnë. Gabimet janë eventuale. Unë kështu e shoh, më mirë se në vitet e kaluara”, ka deklaruar Mustafë Domi.

Ish-gjyqtari nga Gjakova e ka komentuar edhe mundësinë e ardhjes së sistemit VAR në futbollin tonë, gjë për të cilën shprehet pesimistë.

“Ne jemi larg sistemit VAR. Në stadiumet tona nuk e kemi teknologjinë e përsosur që ta kemi VAR-in. Stadiumi i Prishtinës “Fadil Vokrri” nuk i plotëson kushtet, kështu kam dëgjuar unë, e lëre më të tjerët”, tregoi ai.

Duke folur për nivelin e referimit në futbollin e Kosovës, Domi e ka dhënë një deklaratë interesante.

“Ne jemi dëshmitarë dhe e dimë për secilin individ dhe ata të cilët janë të akuzuar, duhet shikuar biografinë e tyre dhe se si e morëm stemën e FIFA-së. Janë kritere që duhet t’i kenë gjyqtarët. Cilat ndeshje i kanë drejtuar dhe se si e kanë marrë stemën”, theksoi Domi, duke vazhduar:

“Janë shumë gjëra që duhet përmirësuar, këtu e lë gjykimin dhe pas dy javësh e nis me vëzhgim. Ka njerëz të afërt”.

Për fund, Domi thotë se gjyqtarët që gabojnë duhet të “ulen” në detyrë, duke i vendosur në kategori më të ulta.

“Gjyqtari i parë nëse gabon, ai vlerësohet me normë – negative pra. Unë mendoj që gjyqtarë cilësor ka, por atyre duhet t’u jepet rasti. Por, janë edhe ata që gabojnë vazhdimisht dhe duhet të shkojnë në një kategori më poshtë. Unë kam qenë i gatshëm ta jap kontributin tim në këtë drejtim, por nuk jemi marrë parasysh nga FFK-ja”, përfundoi të martën për FrontOnline Mustafë Domi.