Humbi jetën në stadium, Flamurtari merr mbikëqyrjen e fëmijëve të tij

177

Flamurtari e cilëson të trishtueshëm faktin që një tifoz i veti humb jetën në stadium, në rrethana ende të pazbuluara. Mikeli u pa të përplasej me kokë në tokë, në fundin e shkallëve dalëse nga stadiumi i Vlorës, pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Flamurtari-Kukësi 0:2, pastaj ta merrnin policët e ta dërgonin me furgonin e tyre drejt spitalit.

Por, fatkeqësisht, ai e humbi jetën rrugës. Një video e shpërndarë në rrjetet sociale ka ngritur dyshime të forta, se Mikeli është shtyrë nga një polic dhe është përplasur me shkallët e çimenta të daljes nga stadiumi.

Familjarët e tij kërkojnë të zbardhet e vërteta, ndërsa mjaft tifozëri të skuadrave të tjera shqiptare e kanë drejtuar gishtin e akuzës nga policia, e cila nuk di të sillet, sipas tyre, në ndeshjet e futbollit.

Megjithatë, klubi vlonjat i futbollit nuk ka dashur të mplekset me këto gjëra, që u takojnë organeve ligjzbatuese t’i zbardhin, por ka shprehur keqardhjen e madhe për humbjen e tifozit të vet. Mjaft human veprimi i presidentit Sinan Idrizi, i cili ka vendosur t’u lidhë pension dy fëmijëve të vegjël, që la Mikeli mbas.

“Flamurtari i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve, ndërsa presidenti vendos të lidhë pension për të dy fëmijët e tij, për t’i qëndruar pranë familjes, ashtu si Mikeli qëndroi gjithmonë pranë Flamurtarit. Qoftë i përjetshëm kujtimi yt, Mikel! Shpirti yt u prehtë në paqe!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e klubit vlonjat.