Hajvalia merr frenat e Superligës

169

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi i është hakmarrë Dritës për atë humbjen në garat e Kupës, derisa e ka mposhtur me shifrat 2-1 në stadiumin e Kizhnicës. Me këtë fitore, Hajvalia hedh hapin drejt titullit kampion, derisa merr frenat e Superligës, duke kryesuar renditjen tabelare me 37 pikë, një më shumë se Gjilani që dje triumfoi ndaj Vushtrrrisë dhe dy më shumë se Feronikeli që luan nesër ndaj Besës, njofton Gazeta Sheshi.

Karabegu paralajmëron Dritën

Drita kishte udhëtuar në Kizhnicë pa tre lojtarë kryesorë të përbërjes së parë. Erdin Hashani, Armend Kastrati dhe Alban Shillova e ndoqën ndeshjen nga tribunat. Sidoqoftë ndeshja filloi me vendasit që rrezikojnë të parët, me ç’rast edhe gjejnë rrugën e golit (4′).

Pas një pasimi brenda zonës të Liridon Lecit, më së miri gjendet Fuat Karabegu që gjuan me saktësi drejt portës së Halimit, duke e detyruar atë ta nxjerrë topin nga rrjeta, 1-0.
Goli i epërsisë nuk ndaloi skuadrën vendase për të sulmuar, që rrezikon në vazhdimësi përmes krahëve. Brazilianit Da Luz i tregohet një mundësi e mirë shënimi në min.14, mirëpo gjuajtja e tij pengohet nga mbrojtja mike.
Ndërkohë, miqtë nisin të kërkojnë rrugët për të sulmuar, derisa Qëndrim Sejdiu afrohet shumë afër golit në min.17, derisa gjuan nga dënimi shumë pranë portës së Tahirit.

Në minutat vijues do jenë sërish vendasit ata që do gjurmojnë drejt golit të rradhës. Edhe një mundësi shënimi për vendasit, të cilët rrezikojnë me të njejtin futbollist Karabegu, mirëpo gjuajtja e tij nga dënimi përfundon mbi portë. Vendasit do afroheshin ndjeshëm golit përmes realizatorit të parë Karabegu, por gjuajta e mesfushorit prishtinas prek vetëm rrjetën e jashtme. I njejti futbollist provoi edhe disa minuta më pas por gjuajti vetëm mbi portë.
Sidoqoftë, Hajvalia shkon në pushim me golin e realizuar nga Karabegu në minutën e katërt.

Zgjimi i vonshëm i Dritës

Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri vendas Munishi reagon duke inkuadruar në lojë Shkëlqim Pacollin për brazilianin Da Silva. Zëvendësimi doli të jetë i qëlluar, pasi vetëm 10 minuta më pas Pacolli solli edhe golin e dytë për Hajvalinë. Pas një harkimi të Genc Hamiti, zëvendësuesi qëlloi saktë me kokë në portën e Halimit, duke e ngritur epërsinë e vendasve.

Mirëpo, ky gol nuk solli qetësinë te vendasit. Kokëçarjet për ta filluan tre minuta më pas, derisa Xhevdet Shabani realizoi për udhëtuesit. Sulmuesi i krahut është gjendur për mrekulli brenda zonës, pas servimit të Shqiprim Kelmendit, duke gjuajtur sakt dhe bukur për të mposhtur ‘gardianin’ Tahiri.

Pas këtij goli, miqtë në vazhdimësi tentuan për ta gjetur golin e barazimit, derisa vendasit përmes kundërzbritjeve u munduan të gjejnë golin e qetësisë. Gjithsesi kjo e bëri nervoz trajnerin mysafir Sadat Pajaziti që pas ankesave ndaj gjyqtarit kryesor Baliu, ky i fundit e dërgon në dhomat e zhveshjes.

Gjithsesi minutat e fundit të lojës nuk sjellin ndonjë risi në rezultat, me Hajvalinë që merr tre pikët e rradhës që e bëjnë atë lider të ri të Superligës, derisa Dritat mbete në pozitën e dhjetë me 24 pikë.

Kizhnicë: Hajvalia – Drita 2:1 (1-0)
Stadiumi: I Kizhnicës
Shikues: 400
Shënues: Karabegu 4′, Pacolli 55′ – Xh.Shabani 58′
KV: Prekazi – Kelmendi
Gjyqtarë: M. Baliu. J. Gashi . V.Kelmendi. G.Nuza

Hajvalia: Tahiri, Hamiti (Emini), Leci, Prekazi, Dragusha, Babaj, Karabegu, Ahmeti (Gashi), Da Silva (Pacolli), Zeneli, Sergio Da Luiz. Trajner: Ismet Munishi.

Drita: Halimi, Baxhuku, Sejdiu, Tusuni, Ajdari (Sejdiu), Berisha, Ramadani (Shaqiri), Kelmendi (Avdiu), Murati, Shabani, Haliti. Trajner: Sadat Pajaziti.

/Gazeta Sheshi/