Hajvalia fiton në foto-finish, Prishtina triumfon sërish ndaj Gjilanit

202

Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 23-të në Raiffeisen Superligë. Hajvalia ka realizuar fitore të rëndësishme, por tejet të vështirë në shtëpi kundër Drenicës, me rezultat 1:0. Golin e fitores për Hajvalinë e ka realizuar Semir Zeneli, me gjuajtje me kokë pas harkimit të brazilianit, Da Luiz, në minutën e 89-të.

Pas kësaj fitoreje Hajvalia e ka barazuar sërish kuotën e pikëve me Feronikelin, të cilat së bashku i prijnë renditjes. Tri pikë me vlera të mëdha, por në garën për mbijetesë i ka arkëtuar edhe Prishtina, e cila ka shënuar fitoren e vetme si mysafire këtë javë, duke e mposhtur Gjilanin, 1:0. Golin e fitores për Prishtinën e shënoi Lorik Boshnjaku, në minutën e 55-të, me gjuajtje nga distanca. Për Prishtinën kjo ishte fitorja e dytë radhazi, derisa për Gjilanin kjo ishte humbja e tretë me radhë.

Fitore me shifra të njëjta ka regjistruar edhe Trepça’89, por si vendase në “Riza Lushta”, duke e mposhtur Istogun, me golin e Fiton Hajdarit, në minutën e 57-të. Ndërkohë, Besa është rikthyer te fitorja duke e mundur Vushtrrinë, me rezultat 2:0, në saje të golave të Kastriot Rexhës.